Konjufca: Në Serbi ka grupe për destabilizim të Kosovës

11.07.2024 16:55

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca...

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij e dhënë ditë më parë për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rreziku që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e popullit, por për të njoftuar bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të ndëshkohet Serbia.

Sipas tij, Kosova kurrë nuk ka qenë me e sigurt dhe se institucionet e sigurisë janë stabile edhe të gatshme për t’u kundërpërgjigjur çfarëdo tendence që vjen nga Serbia.

“E dinë e gjithë shoqëria jonë, e dinë e gjithë bashkësia ndërkombëtare që Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Prej këtyre pretendimeve, ajo nuk ka hequr dorë kurrë. Askush nuk i thotë këto deklarata për t’i frikësuar apo për të shkaktuar ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, në institucionet tona efektive për t’iu kundërvënë çfarë do tendence të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai më tej ka shtuar se ekzistojnë grupe kriminale që synim kanë destabilizimin e Kosovës dhe të strehuara në Serbi. 

“Për që ka grupe të cilat e kanë për synim për ta destabilizuar Kosovën, ato ne nuk mundemi ta gënjejmë e as të mashtrojmë askënd. Ato ekzistojnë, janë të strehuara në Serbi. Sa i përket brenda Kosovës, situata kurrë nuk ka qenë më në kontroll. Grupe nga brenda Kosovës, të cilat munden ta destabilizojnë Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta dhe janë në shpartallim e sipër.”, - shtoi ai.

Ditë më parë edhe kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për t’i larguar bazat ushtarake përreth kufirit me Kosovën, ndërsa ish-gjenerali i NATO-s, Weslej Klark, i cili tha se Serbia është dora e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. (Gazmend Kurtishi, TVM2)