Sulmet ushtarake në Gazë vazhdojnë edhe gjatë ndërmjetësimit për armëpushim
Sulmet ushtarake të Izraelit në Gazë vazhdojnë...

Sulmet ushtarake të Izraelit në Gazë vazhdojnë edhe gjatë periudhës që po ndërmjetësohet për armëpushim. Ushtria izraelite iu ka bërë thirrje të gjithë palestinezëve që të largohen nga Gaza dhe të drejtohen drejt jugut të vendit. Sipas bashkësisë ndërkombëtare, thirrja për evakuim dëshmon se Izraeli vazhdon me ofensivë ushtarake në Gazë.
“Duam që t’i largojmë civilët nga zonat e rrezikut. Ne nuk kemi interes që të bëjmë dëme në popullatën civile që jetojnë në Gazë dhe në cilindo vend tjetër, ne po tentojmë të arrijmë deri tek terroristët. Ashtu siç kemi përmendur nga 24 batalione, shumicën prej tyre i kemi shkatërruar, por pjesë e tyre po lajmërohen në rajone të ndryshme të Gazës.”, - deklaroi zëdhënësi i Izraelit, Dejvid Menser.
OKB-ja ka thënë se është thellësisht e shqetësuar për urdhrat e evakuimit që janë dhënë. Është hera e dytë që nga fillimi i luftës që qytetit të Gazës në tërësi i kërkohet të evakuohet.
“Instruksionet e Izraelit që qytetarët të lëshojnë Gazën do të jetë një sfidë e rëndë për familjet palestineze. Shumica prej civilëve janë transferuar disa herë dhe përsëri do të jenë në rrezik, ata duhet të mbrohen dhe kërkesat e tyre duhet plotësuar.”, - theksoi Stefan Dujarik nga OKB-ja.
Lideri Hesbollahut ka pohuar se grupi i tyre do të përkrahë çdo vendim të Hamasit deri në përfundim të një marrëveshjeje mes Hamasit dhe Izraelit.
“Kur bombardimet në Gazë do të ndalojnë, edhe ne do të ndalojmë. Kur t’i vihet fundi luftës në Gazë, do t’i vijë fundi edhe luftës në jug të Libanit.”, - theksoi lideri i Hezbollahut, Hasan Hasrallah.
Në bisedime për arritje të një marrëveshjeje mes Hamasit dhe Izraelit marrin pjesë shefat e inteligjencës së Egjiptit, ShBA-së dhe Izraelit, si dhe kryeministri i Katarit. Zyrtari i lartë i Hamasit, Hosam Badran, ka thënë se Izraeli po përpiqet të ushtrojë presion mbi negociatat duke intensifikuar operacionet e bombardimeve. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
