ZYRTARE, FC Shkupi arrin akordin me ish futbollistin e Shkëndijës dhe Vllaznisë
FC Shkupi, që përgatitjet për sezonin e ri 2024/25 i ka vazhduar në Turqi....

FC Shkupi, që përgatitjet për sezonin e ri 2024/25 i ka vazhduar në Turqi, ka filluar të mendoj tashmë edhe rreth ndërtimit të skuadrës. Pas shumë largimeve, kjo skuadër tashmë ka filluar të bëjë edhe përforcimet e para, teksa siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, skuadra nga Çairi ka arritur akordin me mbrojtësin e krahut të majtë, Xhelil Asani.
Bëhet fjalë për një futbollistë 28-vjeçar, i cili dy vitet e fundit ka luajtur në Superligën shqiptare, derisa në futbollin vendor rikthehet pas 6 viteve e gjysmë, kur për herë të fundit kishte mbajtur veshur fanellën e Shkëndijës.

Ndryshe, Asani karrierën futbollistike e kishte nisur në vendlindjen e tij, te skuadra e Vëllazërimit nga Kërçova, për të luajtur më pas edhe me Metalurgun, ndërkohë skuadra e tij e parë jashtë kufijve të Maqedonisë, kishte qenë Bylisi nga Ballshi i Shqipërisë.
Karriera e tij kishte vijuar të zhvillohet jashtë vendit, duke luajtur në Malta, Bjellorusi, Uzbekistan, Bosnje e Hercegovinë, Rusi si dhe Amerikën e largët, pasi i njëjti posedon edhe pasaportë amerikane.

Tashmë Asani sërish rikthehet të luaj në vendin e të parëve të tij, mirëpo këtë herë me fanellën e FC Shkupit. Ai nesër do të udhëtojë direkt për në Turqi, për t’iu bashkuar skuadrës së tij të re, me të cilën siç mësojmë ekskluzivisht, ka firmosur kontratë një vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Kujtojmë, pjesë e FC Shkupit në sezonin e ri do të jetë edhe Numan Ajetoviç, një ish junior i Vardarit, që së fundmi luante me Novacin në Ligën e Dytë. (infOSport.mk)
