Maqedoni
Situata me zjarret në Negotinë, helikopter ushtarak dhe policor shuajnë zjarrin
12.07.2024 14:04
Një helikopter ushtarak dhe policor po intervenojnë mbi vatrat e përhapura në rrethinën e Negotinës....

Një helikopter ushtarak dhe policor po intervenojnë mbi vatrat e përhapura në rrethinën e Negotinës. Ekipet e përbashkëta ushtarake, policore, të zjarrfikësve, si dhe të punësuarit komunal të komunës së Negotinës, që në mëngjes herët filluan intervenimin e tyre të përbashkët mbi vatrat për rreth fshatit Peshternicë.
“Për momentin situata është pak më e stabilizuar pas intervenimit të helikopterit ushtarak, i cili u përfshi në shuarjen e zjarreve rreth orës 08:00 të mëngjesit. Helikopteri ushtarak veproi në terren për rreth 1 orë e gjysmë dhe ka arritur të normalizojë gjendjen dhe tani ne mund të themi se është tejkaluar rreziku për t’u përhapur vatrat edhe në vendbanimet përreth, mirëpo pavarësisht kësaj, ne jemi në pritje dhe kujdes. Gjatë ditës së sotme jemi në pritje që të veprojnë edhe “Air traktorët” kështu që po shpresojmë se me veprimin e tyre të përbashkët gjatë ditës së premte të vihet nën kontroll zjarri në tërësi.”, - deklaroi kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov.
Me vendim të Qeverisë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim angazhon pilotë, QMK-ja shpreson që “Air traktorët” do të shuajnë vatrat
Një pjesë e banorëve të cilët kanë vikend-shtëpiza në zonat malore ku kalojnë një pjesë të madhe të pushimeve verore janë në ankth dhe frikë për pronat e tyre, thotë kryetari, Stojanov. Autoritetet e komunës dhe ato të Qendrës për Menaxhim me Kriza thonë se të gjitha ekipet e zjarrfikësve dhe gjithë kapaciteti njerëzor është vënë në funksion për të parandaluar përhapjen masive të këtyre zjarreve. Me vendim të Qeverisë aktivizohen edhe avionët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët do t’i drejtojnë pilotë të pensionuar. Nga QMK-ja shpresojnë se me ndihmën e avionëve “Air traktorët” gjatë ditës së premte tërësisht të shuhen zjarret në këto zona.
“QMK-ja informon se ashtu siç u normalizua dhe u shua zjarri i madh në rajonin e Gradskos, ashtu presim që të normalizohet edhe zjarri i përhapur në rajonin e Negotinës, pasi që presim gjatë ditës së sotme të aktivizohen edhe dy “Air traktorët” në shuarjen e zjarreve.”, - theksoi Ilija Bojarovski nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Ekipet e zjarrfikësve janë duke punuar edhe në shuarjen e vatrave të përhapura në malin Ograzhden, të cilët u përhapen dy kilometra larg zonës kufitare me Bullgarinë. Edhe këtu për shkak të mos qasjes në vatrat, ekipet e zjarrfikësve, forcat e armatosura dhe të punësuarit e NP “Pyjet e Maqedonisë” intervenuan me ndihmën e helikopterëve, të cilët hedhin topat e ujit mbi këto vatra.
REXHEP QAMILI
