Maqedoni
Janevska: Do të revidohet puna e të gjitha universiteteve
12.07.2024 14:19
Do të ketë revidim të funksionimit të të gjitha universiteteve në vend dhe ai proces do të nisë...

Do të ketë revidim të funksionimit të të gjitha universiteteve në vend dhe ai proces do të nisë nga institucionet arsimore nga të cilat do të vijnë raportet për parregullsi të evidentuara. Kështu vlerëson ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, sipas së cilës do të ketë revidim edhe se si disa studentë kanë arritur të diplomojnë.
“Ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, por për gjithçka që ka një raport do të veprohet dhe ne tashmë e kemi bërë. E po, ne kemi këtu për të ashtuquajturin universitet të Merkos, pastaj kemi për një universitet tjetër shtetëror, kemi për një tjetër privat. Sapo të përfundojnë revidimet, do të bëhet publike.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Ministrja Janevska edhe një herë konfirmoi se i qëndron deklaratës se do të ketë mbyllje të disa universiteteve që nuk i plotësojnë standardet për zhvillim normal të procesit arsimor.
“Unë qëndroj pas deklaratës sime, nëse një universitet nuk i plotëson kushtet për të punuar, do të mbyllet. Shihni se çfarë investimesh po bëjmë që të ketë kushte për punë dhe për përfitimin e njohurive dhe diturisë dhe nuk do ta lejojmë aty ku nuk ka kushte për të punuar, kjo assesi nuk do të ndodh.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Në pyetjen se pse kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, edhe pse i është hequr leja për hapjen e departamentit në fushën e mjekësisë, ka publikuar një program për studentët që duan të aplikojnë, ministrja Janevska tha se kjo absolutisht nuk është e mundur dhe se do të kontrollohet nga Inspektorati Shtetëror Arsimor dhe Ministria e Arsimit.
FLUTURA LATIFI
