Maqedoni

Kuvend, Dita Ndërkombëtare e viktimave në Srebrenicë

12.07.2024 14:36

Gati tre dekada nga gjenocidi në Srebrenicë, por ky akt masakrues vazhdon të jetë i freskët në kujtesën kolektive...

Gati tre dekada nga gjenocidi në Srebrenicë, por ky akt masakrues vazhdon të jetë i freskët në kujtesën kolektive, sepse dëshmon për vrasjen e më shumë se 8 mijë boshnjakëve. Dita ndërkombëtare kushtuar viktimave në Srebrenicë është përkujtues i diçkaje që nuk duhet të përsëritet, u theksua në Kuvend, gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë.
 
“Srebrenica është simbol i vuajtjes, dhimbjes dhe asaj që ka mbijetuar një komb. Ne kemi për detyrë që të gjitha këto t'ua bartim brezave të ardhshëm në forma dhe mënyra të ndryshme kulturore.”, - deklaroi profesori, Xhemil Bektoviq.
 
29 vjet më vonë, Srebrenica është ende subjekt i argumenteve të hidhura, mohimeve, keqkuptimeve dhe subjekt i betejave politike.
 
“Ky kapitull i errët i historisë e tregon nevojën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe pengimin e krimeve të tilla në të ardhmen. Duhet rikujtuar se vetëm përmes arsimimit, ndërgjegjësimit dhe drejtësisë mund të synojmë për një botë ku krime të tilla asnjëherë nuk do të ndodhin.”, - theksoi Mersiha Smailoviq.  
 
Gjenocidi si ai i Srebrenicës nuk duhet të harrohet, por nuk duhet lejuar të përsëritet, ka theksuar kryeparlamentari, Gashi. 
 
“Gjenocidi në Srebrenicë duhet ta shfrytëzojmë për t’u dërguar mesazh fëmijëve tanë, brezave të ardhshëm, se duhet të respektojnë diversitetin dhe të kundërshtojnë urrejtjen, paragjykimet dhe stereotipet. Gjenocidi si ai i Srebrenicës nuk duhet të harrohet, por nuk duhet lejuar të përsëritet.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Gjatë debatit në Kuvend u vlerësua se krimet dhe traumat e së kaluarës mund të jenë shkak i urrejtjes dhe konflikteve të reja ose shkak i bashkimit tonë shoqëror për njerëzimin, ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin.
 
SANIJE DURAKU