Hungaria i huazon Maqedonisë 500 milionë euro, Mickoski: Do të investohet në projekte kapitale
Kryeministri Hristijan Mickoski...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka dhënë detaje mbi huamarrjen e re që do të merret nga shteti hungarez e që do të kap vlerën e 500 milionë eurove.
Mickoski thotë se 250 milionë euro do të shkojnë për zhvillim ekonomik në formë të drejtpërdrejtë dhe 250 milionë euro investime kapitale që do të realizohen nëpërmjet komunave. Interesi për këto mjete do të jetë 3.25 për qind me afat kthimi prej 15 viteve.
“Në emër të kësaj marrëveshjeje, menjëherë personat përgjegjës, ministrat e Financave të të dy vendeve të fillojnë procesin që shteti hungarez t’i huazojë Qeverisë së Maqedonisë 500 milionë euro, kamatë prej 3.25 për qind 3 vite periudhë grejs dhe afat kthimi 12 vite. Nga këto 500 milionë euro, 250 milionë euro ndihmë e drejtpërdrejtë për ekonominë me kushte të njëjta, ekonomia do të ketë kushte që deri tani nuk ka pasur dhe 250 milionë euro do të jenë të dedikuara për investime kapitale që do t’u shpërndahen komunave.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Për këtë huamarrje kanë reaguar nga lidhja socialdemokrate, duke thënë se VMRO-ja ka vendosur që shtetin ta le peng dhe nën nënshtrimin e një shteti tjetër.
“Më në fund është e qartë pse Mickoski dhe kolegët e tij ishin çdo fundjavë në Budapest për konsultime me azilkërkuesin, Gruevski. Bashkëpunimi i veçantë ekonomik me Hungarinë është në drejtim të mbi-borxhit dhe pengmarrjes politike të vendit tonë në një vend tjetër. Pyesim se cili është roli i Gruevskit në këtë marrëveshje?”.
LSDM-ja akuzon Mickoskin se negociatat i bën në mënyrë private, pasi që nuk ka as vendim të Qeverisë dhe as ligj të veçantë për huamarrjen në Kuvend. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
