MPB, kallëzim penal për ish-drejtoreshën, Iliazi

12.07.2024 16:12

Ministria e Punëve të Brendshme...

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-ushtrueses së detyrës drejtoreshë organizative e Klinikës Universitare për Toksikologji, Besija Iljazi, nga Tetova. Iliazi dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, të parashikuar dhe të dënueshme nga neni 353 paragrafi 3 dhe paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas MPB-së, Iljazi në cilësinë e ushtrueses së detyrës drejtoreshë organizative e Klinikës Universitare për Toksikologji ka kryer punësime të kundërligjshme.

Besija Iliazi së bashku me shumë drejtorë organizativ të tjerë u shkarkuan nga pozita e drejtorëve organizativë, pasi Qeveria e RMV-së e largoi këtë funksion.

“Ka tejkaluar kompetencat e saj zyrtare në periudhën kohore prej datës 14.02.2024 deri më 24.06.2024 dhe me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për 17 persona, më datë 15.05.2024 ka lidhur 15 kontrata në vepër me 15 persona të punësuar në Klinikën Universitare për Toksikologji.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andrevski.

Prokuroria Themelore – Strugë: Merko dhe të tjerë miratuan ndërtim pa leje

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, dhe kundër disa personave të tjerë për ndërtim të paligjshëm në kundërshtim me procedurat e parashikuara në Ligjin për Ndërtim tek pishina e Hotel “Drim”.

"Kryetari i komunës së Strugës, i pandehuri i tretë në këtë rast, duke vepruar sipas kërkesës, në vend që ta refuzojë atë apo të lejojë rikonstruimin në përmasat ekzistuese të objektit, në korrik të vitit 2019 ka dhënë leje ndërtimi, e cila i mundësoi investitorit të ndërtojë dhe të ketë përfitime – pasuri të patundshme, pra një kat shtesë të objektit me galeri të hapur dhe tarracë, me sipërfaqe totale bruto prej 513 m2 dhe me vlerë të parashikuar 781.527 euro.", - theksojnë nga Prokuroria.

I akuzuari i parë juridik dhe menaxheri akuzohen për veprën penale Ndërtim pa leje nga neni 244a, kryetari i komunës për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, dy zyrtarët tjerë në komunë si bashkëkryerës të veprës penale – Keqpërdorim i pozitës nga neni 353-c, dhe ekspertët akuzohen për veprën penale – Deklaratë e rreme sipas nenit 367 të Kodit Penal. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)