Projekte për gjallërimin e Prespës, Gir: Koha për aksion, të ruajmë Prespën
Mbledhja dhe trajtimi më i mirë i ujërave të zeza....

Mbledhja dhe trajtimi më i mirë i ujërave të zeza, menaxhimi i mbetjeve të ngurta, hapja e pikës kufitare "Markova noga", janë vetëm një pjesë e aktiviteteve që do të zbatohen në rajonin e Prespës në kuadër të projektit "EU4Prespa" financuar nga Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja.
Me këtë projekt gjithashtu përfshihet mbështetje për organizatat dhe institucionet joqeveritare lokale, me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Prespës.
“Dua të njoftoj për fillimin e një sërë aktivitetesh që janë të financuara nga BE-ja, që të ndërtojmë të ardhme stabile për Prespën. Siç thash këto aktivitete përfshijnë mbledhjen dhe trajtimin më të mirë të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, si dhe i aktiviteteve të shumta që do të çojnë deri te menaxhimi, hapja e pikës kufitare "Markova noga".”, - deklaroi euroambasadori, Dejvid Gir.
Për zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mexhiti, realizimi i aktiviteteve të projektit, do të kontribuojë në përmirësimin e turizmit dhe bujqësisë në Prespë.
“Shpresoj se do të parandalojmë ikjen e të rinjve nga shteti, prandaj të gjithë ne po punojmë shumë për ta integruar Maqedoninë në Evropë, jo qytetarët. Morëm detyrë nga ambasadori Gir, që ne si funksionarë, por edhe në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Greqinë ta vëmë në përdorim pikën kufitare “Markova Noga”.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
“Jam i bindur se së bashku me kryetarin do të arrijmë qëllimin që Prespën ta bëjmë sërish të qëndrueshme dhe fermerët e rajonit sërish të kenë zhvillim dhe prosperitet të qëndrueshëm në periudhën e ardhshme.”, - u shpreh ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Vlera totale e projektit kap 21.5 milionë euro, nga të cilat 18 milionë euro janë siguruar nga Bashkimi Evropian dhe do të mundësojë rritjen e bizneseve të prodhuesve vendas, zhvillimin e turizmit dhe hapjen e vendeve të punës. (Sanije Duraku, TVM2)
