Lojërat e fatit, “Fronti Evropian” me ligj kërkon mbylljen totale
“Fronti Evropian” me propozim-ligj për lojërat e fatit...

“Fronti Evropian” me propozim-ligj për lojërat e fatit, të futur në procedurë parlamentare ditë më parë. Me ndryshimet e propozuara kërkohet mbyllja e të gjitha objekteve të lojërave të fatit në vendbanime dhe veprimin e tyre vetëm në hotele me pesë yje.
Nga kërkesa nuk anashkalojnë heqjen e lojërave onlajn. Ftuan deputetët e VLEN-it për mbështetje, por edhe të partive të tjera parlamentare.
"Propozim-ligji parasheh mbylljen e çdo forme të kazinove, qoftë në prezencë fizike, qoftë edhe lojërat onlajn. D.m.th. të gjitha format e kësaj kategorie të afarizmit, biznesit të lojërave të fatit do të duhet të mbyllen tërësisht, jo pjesërisht, jo vetëm një kategori, por tërësisht.”, - deklaroi deputeti i “Frontit Evropian”, Elmi Aziri.
Aziri thotë se propozim-ligji i njëjtë është dorëzuar nga Aleanca për Shqiptarët në prill të vitit 2022, po për arsye të panjohura ky ligj nuk është futur në debat parlamentar.
Edhe propozim-ligji për largimin e lojërave të fatit 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme të propozuar nga BDI-ja pasi kaloi në Parlament, u refuzua nga ish-presidenti Pendarovski, i cili ftoi Kuvendin që të rishqyrtojë ligjin në një debat të gjerë dhe inkluziv.
“Tash propozimi është shumë konkret dhe adekuat dhe mendojmë që të gjithë jemi zotuar para zgjedhjeve dhe e ripërsëris edhe njëherë me zë dhe figurë edhe ata që nuk kanë respektuar legjitimitetin janë zotuar për një gjë të tillë dhe i ftojmë të gjithë bashkërisht, ashtu siç i ftoi zoti Aziri që ta votojmë këtë ligj.”, - theksoi deputeti i “Frontit Evropian”, Blerim Bexheti.
Ditë më parë shumica parlamentare filloi betejën kundër bastoreve dhe lojërave të fatit onlajn për të dëshmuar se hapja e tre kompanive të reja për lojëra të fatit disa muaj më parë, është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Njëkohësisht kërkuan nga Qeveria që t’i propozojë Kuvendit një ligj të ri me të cilin numri i objekteve të lojërave të fatit për një periudhë të caktuar do të përgjysmohej. (Meral Ismaili, TVM2)
