Agjencia e Statistikave të Kosovës, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë
Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë...

Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Prej tyre, 795 mijë e 45 janë meshkuj dhe 791 mijë e 614 femra. Këto të dhëna i ka prezantuar sot ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, duke theksuar se në komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, ka pasur bojkotim në masë të madhe.
Ndërkohë kryeministri Albin Kurti e vlerësoi këtë proces si shumë të rëndësishëm për vendin, duke theksuar ndikimin në vendime politike.
“Pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jetë të pasakta e jo cilësore. Statistikat janë e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve politike bazuar në dëshmi. Në demokraci marrja e vendimeve politike duke u bazuar në statistika është me rëndësi për të punuar në transparencë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri po ashtu e vlerësoi koordinimin mes Qeverisë dhe ASK-së, duke e cilësuar këtë regjistrim si shembull të bashkëpunimit dhe harmonisë në vend.
“Ky regjistrim nuk është veç një regjistrim statistikor, është pasqyrim për të kuptuar nevojat e popullatës sonë. Në një mënyrë statistikat janë si GPS i të ardhmes sonë. Jemi të sigurt se nuk do ta humbim rrugën, pa to do të përfundojmë në rrotullime zig-zage. Ky regjistrim është edhe shembull i bashkëpunimit dhe harmonisë të të gjithë njerëzve që morën pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen tonë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas këtij regjistrimi, mosha mesatare për vitin 2024 është 34.82 që shënon rritje për 4.85 vjet. Raporti gjinor nuk ka ndryshime, dominojnë meshkujt. Ndërsa në vend tani dominon popullsia e grupmoshave 16-64 vjet. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
