Bashkëpunim më i madh për sigurinë, Ukraina do të marrë ndihmë ushtarake
I ashtuquajturi "miliard i artë" i demokracisë perëndimore...

I ashtuquajturi "miliard i artë" i demokracisë perëndimore, e avancoi bashkëpunimin për politikë dhe siguri në Jubileun e Diamantit të Aleancës në Uashington. Janë marrë vendime që synojnë të pengojnë agresionin rus në Ukrainë, por edhe të parandalojnë përhapjen e luftës në Evropë, përmes fqinjëve të Kievit.
Në deklaratën e Samitit, NATO-ja po përshtatet operacionalisht me mundësinë e një konflikti më të gjerë global.
"Konkluzionet janë një shtyllë për të mundësuar fitoren e Ukrainës. Aleatët ranë dakord për një qendër mbështetjeje dhe trajnimi të NATO-s për forcat ukrainase, me një komandë në Gjermani dhe një staf prej 700 personash në Evropën Lindore. Pajisjet do të transportohen dhe riparohen për Kievin dhe ne do të koordinojmë ndihmën. Marrëveshja është në një bazë afatgjatë.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në deklaratën ndoshta më të gjatë që nga Lufta e Dytë Botërore, thuhet se NATO-ja mbetet një fuqi bërthamore dhe përforcimi ushtarak i Aleancës është më i madhi deri më tani.
Për këtë qëllim u nënshkruan disa memorandume bashkëpunimi. Maqedonia është një aleat strategjik përmes korridorit tetë me Bullgarinë, Italinë dhe Shqipërinë.
Megjithatë, figura qendrore e Samitit është Zelenski. Kievit i është premtuar anëtarësimi në NATO, edhe pse nuk është specifikuar se kur, me çka kjo e vendos Aleancën në një pozitë për aktivizim të Nenit 5 për të mbrojtur aleatët nën sulm.
“Së pari jemi shumë afër objektivit tonë. Hapi tjetër do të jetë ftesa dhe më pas anëtarësimi. Megjithatë, ne e kuptuam se nuk do të jemi anëtarë të Aleancës për sa kohë që Ukraina është në luftë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Samiti do të mbahet mend për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe agjendën e punës së mikpritësve amerikanë. Forumi ishte gjithashtu një mundësi për Bajdenin për të bërë një hap më tej në fushatën e tij për rizgjedhjen në Shtëpinë e Bardhë. E derisa në botë po vazhdon ndarja gjeopolitike për përplasjen e mundshme të qytetërimeve, ambasadori rus në Uashington, Antonov, vlerësoi se vendet e NATO-s kanë marrë rrugën e konfrontimit dhe po përgatiten për luftë. Në Ukrainë, lufta ka zgjatur 870 ditë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
