Maqedoni

Sezoni turistik në liqenin e Ohrit, hotelet punojnë me kapacitet të plotë

13.07.2024 17:10

Sezoni turistik në Liqenin e Ohrit është duke i tejkaluar pritshmëritë...

Sezoni turistik në Liqenin e Ohrit është duke i tejkaluar pritshmëritë, thonë hotelierët. Sezoni ka filluar që nga muaji maj, ndërsa këtë muaj dhe në muajin gusht është kulmi i sezonit.
 
Nga shoqata e hotelierëve thonë se pothuajse të gjitha hotelet në Ohër dhe Strugë punojnë me kapacitet të plotë, është e vështirë të gjenden dhoma të lira. Turistët nga Turqia dhe Hollanda janë në numër të madh këtë sezon, ndërsa ka edhe Polonia, Anglia dhe vendet fqinje.
 
“Vitin e kaluar mund të themi se në këtë kohë ka qenë fillimi i turmave, ndërsa këtë vit tashmë që nga muaji kaluar kemi filluar, të gjitha datat, sidomos në fundjavë janë të zëna, nuk ka vende. Jemi duke e përballuar sezonën mjaft mirw dhe mendoj që do e përfundojmë shumë pozitivisht, presim që të paktën të jetë 20% më e mirw se vitin e kaluar. Ka turistë nga disa vende që janë më pak në numër se viti i kaluar, megjithatë ka të tjerë të cilët e plotësojnë numrin”, u shpreh Kërste Blazheski – kryetari i HOTAM.
 
Mungesa e punëtorëve në sektorin e hotelierisë ishte një shqetësim i madh në fillim të sezonit, megjithatë nga HOTAM thonë se të rinjtë kanë treguar interesim të madh për të punuar dhe është plotësuar mungesa e punëtorëve të cilët janë larguar drejt vendeve tjera. Ndërsa kanë ardhur edhe punëtorë nga vendet e largëta si Filipinet dhe India, një pjesë e madhe e tyre punojnë në Ohër, teksa në Strugë ka ende punëtorë lokal.
 
“Në Strugë konkretisht janë më shumë punëtorët tonw, siç përmendëm kemi shumë të rinj, të cilët kërkojnë që tw hyjnë në punë dhe të fitojnë. Sa për punëtorët e huaj, nëse i shohim janë diku rreth 300 punëtorë të huaj në Liqenin e Ohrit, flasim për sektorin e hotelierisë, mund të ketë diku tek 20 në Strugë ndërsa pjesa tjetër në Ohër”, theksoi Blazheski.
 
Nga HOTAM thonë se nga viti në vit turizmi në Liqenin e Ohrit po bëhet më mirë, kjo për shkak se janë duke u përmirësuar kushtet dhe shërbimet. Deri në fund të sezonit pritet një rekord i r i turistëve, ndërsa nga kjo javë pritet të vijnë edhe pjesa më e madhe e mërgimtarëve tanë.
 
ILMIJE ZHAKU