Botë

DASH: Rusia do tensione ndëretnike në Kosovë dhe rajon

13.07.2024 19:50

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike...

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të krijojë “jostabilitet dhe të pengojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike”.
 
 
“Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit nërajon e meritojnë”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
 
DASH tha se pikërisht për shkak të qëllimit të Rusisë, Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor që të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe të avancohet reformat “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin rus dhe do të sillnin paqe, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.
 
“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve”, thanë nga DASH-i.