Maqedoni

Situata me temperaturat e larta dhe zjarret, qeveria shpall 30 ditë gjendje krize

14.07.2024 17:36

Vazhdon sfida me temperaturat e larta dhe zjarret në vend ndërsa për momentin...

Vazhdon sfida me temperaturat e larta dhe zjarret në vend ndërsa për momentin janë shtatë zjarre aktive në ambiente të hapura. Për shkak të gjendjes alarmante Qeveria ka marrë vendim për gjendje krize në afat pre 30 ditësh. 
 
“Ministria e Shëndetësisë dhe personeli shëndetësor nga mjekësia e përgjithshme dhe ajo e punës të jenë në gatishmëri gjatë kohëzgjatjes së krizës; Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar të angazhojë forcat policore në funksion të mbështetjes gjatë shuarjes së zjarreve; ndërsa Ministria e Financave obligohet të sigurojë burime financiare të dedikuara si shtesë nëse shfaqet nevoja për këtë;” – thuhet mes tjerash në vendimin e Qeverisë.
 
QMK-ja: Shtatë zjarre janë aktive, jemi në terren
 
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza me raport për situatën aktuale me zjarret.
 
“Në terren përskaj zjarrfikësve lokal edhe nga njësitë territoriale kundër zjarrit si dhe një pjesë nga forcat e pyjeve nacionale, ndihmojnë edhe 100 pjesëtarë nga Armata dhe 30 pjesëtarë nga policia maqedonase. Herët në mëngjes ka flutuar një helikopter policor i cili në mënyrë aktive ka marrë pjesë në shuarjn e zjarrit në malin Serta që shtrihet në tri krahë dhe më vonë i janë bashkangjitur edhe dy helikpterë të armatës”, u shpreh Stojançe Angellov nga Qendra për Menaxhim me Kriza. 
 
Komuna e Negotinës: Shtëpizat janë në rregull
 
Në rrethinën e Negotinës është parandaluar zjarri në shtëpiza, thotë i pari i kësaj komune.
 
“Gjendja momentale është më e qetë në rrugën drejt fshatit Kavanjë, por ndodhi zjarr tjetër i cili dje filloi në malin Serta. Tash ka marrë hov më të madh. Tash për tash shtëpizat nuk janë kapluar dhe shpresojmë të mbetet kështu brenda ditës”, theksoi kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov.
 
Në 24 orët e fundit ishin aktiv 21 zjarre prej të cilave 14 janë shuar. Autoritetet e vendit me thirrje ndaj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre malore. I nxehti përvëlues do të zgjasë edhe javën e ardhshme, ku më pas sinoptikanët paralajmërojnë ulje të temperaturave.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU