Maqedoni

Gjyqtarët reagojnë ndaj kushtetueses: Iniciativë të re për pagat e gjykatësve

15.07.2024 14:36

Shoqata e Gjyqtarëve reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese....

Shoqata e Gjyqtarëve reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë iniciativën e Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Këshillit Gjyqësor për anulimin e dispozitave të Ligjit për pagat e gjyqtarëve. Nga Shoqata akuzojnë se Gjykata ka marrë vendim populist dhe nuk ka nisur procedurë, edhe pse ndryshimet ligjore parashikonin efekt retroaktiv, që sipas tyre kërcënon rendin juridik. Në këtë drejtim, Shoqata e Gjyqtarëve deri te Kushtetuesja do të dorëzojë iniciativë të re për pagat e gjykatësve. 
 
“Ky vendim është jashtëzakonisht i rrezikshëm për sistemin juridik, sepse mundëson zbatimin retroaktiv të ligjeve, pa përjashtim. Në atë kuptim, në të ardhmen do të mund të bëheshin manipulime dhe keqpërdorime të shumta në zbatimin e ligjeve që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht do të krijohej pasiguri juridike në dhënien e drejtësisë, e cila është në kundërshtim me angazhimet e RMV-së, si dhe me obligimet e marra ndërkombëtare të shtetit.”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.
 
Për Gjykatën Kushtetuese janë të papranueshme pretendimet se po kërcënohet pavarësia e gjyqësorit.
 
“Gjyqtarëve dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nuk do t'u zvogëlohen pagat, por do t'u rriten për disa qindra denarë. Ata vazhdojnë të marrin një pagë që i përgjigjet statusit, rolit dhe dinjitetit të tyre dhe gjendja materiale nuk u është përkeqësuar.”, thuhet në sqarimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
 
Megjithatë Shoqata e Gjyqtarëve i kërkon Gjykatës Kushtetuese të veprojë në përputhje me kompetencat e saj në të kundërtën, siç thuhet në njoftim, Shoqata do të fillojë procedurë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 
 
SANIJE DURAKU