Maqedoni

Gjendja me zjarret në RMV, kritike në malin Serta dhe Ograzhden

15.07.2024 14:58

Autoritetet vazhdojnë të ballafaqohen me zjarret e përhapura në vend...

Autoritetet vazhdojnë të ballafaqohen me zjarret e përhapura në vend. Gjatë mëngjesit të së hënës u regjistruan nëntë vatra aktive në ambiente të hapura, dy prej të cilave rezultojnë të jenë më të mëdha dhe më të rrezikshme tek pjesa e malit Serta dhe Ograzhden pranë zonës kufitare me Bullgarinë. Tashmë disa ditë me radhë zjarri po shkrumbon pasuritë pyjore dhe papritmas po hapen edhe vatra të reja. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, të armatës, të policisë dhe ndërmarrjeve publike komunale po veprojnë në terren dhe po bëjnë çmos për t’i shuar ato në tërësi ose për t’i vënë nën kontroll. 
 
“Deri në këto momente do t’i veçoja dy zjarret më të mëdha, i pari që është aktiv në malin  Serta, ku atje ka disa vatra aktive, sepse përfshijnë pjesë të territorit të komunës së Shtipit, Negotinës dhe Konçes dhe zjarri i dytë më i madh, i cili është përgjatë kufirit me Bullgarinë, respektivisht në malin Ograzhden në territorin e Novo Sellës. Fokusi ynë do të vendoset në shuarjen e këtyre dy zjarreve.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.
 
Turqia ndihmon RMV-në me një helikopter dhe dy aeroplanë
 
Shuarja e zjarreve në zonat malore bëhet me ndihmën e helikopterëve dhe aeroplanëve të veçantë të angazhuar nga institucionet e vendit, ndërsa nga dita e hënë në përforcim të ekipeve tona, janë kyçur edhe një helikopter dhe dy aeroplanë nga Turqia, të cilët bashkërisht hedhin topat e ujit mbi vatrat. 
 
“Në bazë të kërkesës së dërguar të Qeverisë së RMV-së gjatë ditës së djeshme, Turqia mori vendim që të dërgojë dy aeroplanë dhe një helikopter dhe ato kanë arritur dhe jenë në dispozicion të plotë për t’u ballafaquar me zjarret në RMV. Turqia gjithmonë do t’i qëndrojë afër RMV-së edhe gjatë ditëve të mira apo të vështira.”, - deklaroi ambasadori i Turqisë në RMV, Fatih Ulusoj.
 
Mickoski: Presim ndihmë edhe nga vendet tjera
 
“Dy aeroplanët e Turqisë veç më po punojnë në shuarjen e zjarreve të përhapura në zonën e Novo Sellës, ndërsa helikopteri po i drejtohet vatrave të rrethinës së Negotinës, respektivisht në malin Serta. Presim të na arrijnë edhe ndihma tjera nga forcat ajrore nga Serbia, Mali i Zi dhe Sllovenia.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Stojanov: Përballemi me terren të papërshtatshëm
 
Pa ndihmën nga ajri, shumë vështirë mund të shuhen këto zjarre, thotë kryetari i komunës së Negotinës, Stojanov, i cili thotë se ekipet ballafaqohen me terren jashtëzakonisht të papërshtatshëm dhe se në të shumtën e rasteve ata fare nuk mund t’u afrohen vatrave përmes vijës së këmbësorisë. 
 
“Për momentin janë aktive tre zjarre në vendbanimet Kallanjevo, rajoni Dunica rruga rajonale Negotinë - Shtip dhe ku jemi aktualisht në rrugën e vjetër të terrenit të stërvitjes ushtarake ku tek një pjese e kësaj zone ku janë përhapur vatrat nuk mund të veprojmë, sepse ka mbetje të municioneve dhe siç e shihni zjarrfikësit dhe ushtria nuk mund të vazhdojnë shuarjen. Tek pjesa tjetër e kësaj rruge rajonale, ekipet tona të përbashkëta po punojnë në shuarjen e zjarreve.”, - u shpreh kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov. 
 
Për shkak të zjarreve, Qeveria shpalli edhe gjendje krize në afat prej 30 ditësh.
 
REXHEP QAMILI