Maqedoni

Reformat në gjyqësor, Mickoski: Gjykatësit, në shërbim të qytetarëve

15.07.2024 15:20

Besimi prej 2% në gjyqësor është dëshpërues për qytetarët, vlerëson kryeministri, Hristijan Mickoski...

Besimi prej 2% në gjyqësor është dëshpërues për qytetarët, vlerëson kryeministri, Hristijan Mickoski, edhe përkundër pagave të majme prej mijëra eurove që marrin anëtarë në Këshillin Gjyqësor dhe të Prokurorëve. Mickoski thotë se Qeveria s’do të ushtrojë trysni ndaj gjyqësorit edhe pse pohon se gjykatës dhe prokurorë kanë kërkuar të takohen me të, e të cilët ai i ka refuzuar.
 
“Nuk dua që të më kërkojnë takime prokurorët e as gjykatësit, ja më kanë kërkuar të takohemi, unë nuk dua, nuk do të pranoj askënd. Nuk më duhet kjo, më duhet vetëm ajo për çfarë ata paguhen. Qytetarët i paguajnë ata me para që mezi i kanë përfituar nëpërmjet tatimeve. Ata do të duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, e jo timin. Unë nuk kam nevojë, nuk kam vëllezër, e kushërinj, e as interesa të tjera që kanë të bëjnë me gjyqësorin.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski mbetet në qëndrimin se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik duhet të shpërbëhen dhe vetë trupat të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, që është kundërshtuar nga ekspertë dhe ambasadorë. Ka reaguar edhe ambasadorja e ShBA-së, Angela  Ageler, pasi Mickoski ishte shprehur se është bërë praktikë që ambasadorë të ndërhyjnë në punë të brendshme të shtetit. Ageler, me qëndrim se nuk duan të ndërhyjnë, por vetëm të ndihmojnë. 
 
“Qëllimi ynë ka qenë që t’ju mbështesim. Vendimet që merren në Këshillin Gjyqësor ose në cilindo trup tjetër, janë vendime të brendshme të shtetit. Ne nuk e themi se cili gjykatës ku duhet emëruar ose anëtarë i cilit këshill duhet të jetë. A ka korrupsion në gjyqësor? Po. Është dëshpëruese kur besimi në gjyqësor është 2%.”, është shprehur Ageler.
 
Mickoski thotë se për të përmirësuar gjendjen në gjyqësor, mund të ketë edhe ndryshime ligjore.
 
MERAL ISMAILI