Maqedoni
Rasti me foshnjën tremuajshe, Komisioni do ta shqyrtojë rastin, pritet raport
15.07.2024 16:02
Akoma nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me veprimin e Komisionit nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve...

Akoma nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me veprimin e Komisionit nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve që duhet të zbardhë rastin e foshnjës tremuajshe nga Saraji. Edhe pse drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, Rexhep Memedi, shqyrtimin e çështjes në Komision e paralajmëroi për ditën e hënë, në linjë telefonike për TVM2 nuk deshi të japë detaje rreth Komisionit dhe as për atë se deri ku është procedura, por tha se shqyrtimi dhe raporti i Komisionit nuk do të thotë se duhet të përfundojë brenda ditës.
“Për momentin jemi duke punuar dhe nuk mund t’ju jap asnjë informacion. Kur do të ketë ndonjë konkluzion do të jeni të informuar. Ajo që kam paralajmëruar Komisionin për ditën e sotme nuk nënkupton se sot do të ketë raport, mund të jetë ndonjë ditë tjetër.", - theksoi Memedi.
Familja pretendon se foshnja është dhunuar nga një punonjëse shëndetësore e Departamentit të Imunologjisë. Në Komision, infermierja do të tregojë anën e saj të ngjarjes, e cila shkaktoi reagim të ashpër në publik duke postuar pamjet e foshnjës me mavijosje në krah. Siç është paralajmëruar, pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet do të merret vendim në përputhje me normat ligjore dhe etike.
Ndërkohë, pas akuzës ndaj infermieres për raportin e saj ndaj foshnjës tremuajshe, infermierja ka marrë mbështetje nga Sindikata e Qendrës Klinike. Ata theksojnë se askush nuk duhet të akuzohet para se të provohet fajësia. Me qëllim të zbardhjes së rastit, menjëherë pas publikimit, ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Klinikës së Fëmijëve vizituan familjen, e cila u ankua për lëndime të foshnjës. Arben Taravari tha se nëse akuzat janë të vërteta do të ketë sanksione. Në mbrojtje të infermieres ka reaguar edhe Unioni i shoqatave, i udhëhequr nga Shoqata e infermierëve, teknikëve, akushereve dhe infermierëve dentar “Për ne”, duke u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të sigurojnë prova për zbardhjen e rastit.
FLORIJE KAMBERI
