Botë

Aksidenti spektakolar i autobusit me 60 pasagjerë në Spanjë

16.07.2024 11:45

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në autostradën C-32, pranë Barcelonës....

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në autostradën C-32, pranë Barcelonës. Pamjet e aksidentit që tregojnë një autobus të përplasur në hyrjen e një tuneli kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa nga 60 pasagjerë që ndodheshin në mjet, 3 prej tyre ndodhen në gjendje kritike për jetën.
 
Në momentin e aksidentit autobusi po udhëtonte midis qyteteve Santa Susanna dhe Palafolls. Autobusi ka humbur kontrollin në hyrje të tunelit dhe është përplasur me murin anësor, me mjetin që ka ngecur në pozicion vertikal.
 
Autobusi po transportonte 60 punëtorë të Inditex nga Barcelona në magazinat në pronësi të kompanisë në Tordera.
 
Siç njofton Departamenti i Shëndetësisë në Katalonjë, janë tre persona në gjendje kritike, njëri prej tyre shoferi, të cilët janë transferuar me helikopterë mjekësorë në spitale të ndryshme. Tre persona të tjerë janë transferuar në gjendje më pak të rëndë në Mataró, ndërsa ndihmë mjekësore kanë marrë 52 persona.
 
Autostrada C-32 është ende e mbyllur midis Pineda de Mar dhe Tordera në drejtim të Gironas.