Maqedoni

Situata me zjarret në vend, gjendja kritike në malin Serta, Zjarrfikësit: Po luftojmë për t’i lokalizuar vatrat

16.07.2024 14:20

Një natë të vështirë me plotë të papritura kaluan ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, të policisë...

Një natë të vështirë me plotë të papritura kaluan ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, të policisë,  armatës dhe ndërmarrjeve komunale gjatë shuarjes së zjarreve në malin Serta dhe Ograzhden. Në të shumtën e rasteve vatrat më të mëdha gjatë 24 orëve të fundit shuheshin me ndihmën e helikopterëve tanë të cilët hidhnin topat e ujit mbi këto vatra. Për shkak të terrenit të papërshtatshëm dhe kushteve atmosferike në këtë zonë malore, vatrat sa lokalizoheshin, ata përsëri shpërthenin pas disa orësh më vonë, ndërsa në disa vende të malit Serta përhapeshin edhe vatra të reja, të cilat para dy-tre ditëve ishin shuar në tërësi. 
 
“Po luftojmë për t’i lokalizuar vatrat aq sa mundemi. Terreni është i papërshtatshëm, ballafaqohemi me kushte të vështira për t’u qasur. Këtu jemi veç më 7 ditë.”, - tha një zjarrfikës.
 
“Po shpresojmë në rezultate më të mira. Për momentin zjarri nuk është vënë nën kontroll, kolegët tanë janë aty lartë, po ashtu kanë ardhur edhe pjesëtarë të EBR-së, të armatës. Sot ne kemi për detyrë të qëndrojmë këtu me cisternën tonë me ujë dhe të parandalojmë çdo përhapje të zjarrit.”, - tha një zjarrfikës tjetër. 
 
Kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov, shpreson se përveç helikopterëve, në shuarjen e zjarreve do të kyçen sa më shumë aeroplanë të ashtuquajtur si “aer traktorë” qoftë nga vendi apo rajoni. Pa ndihmën e tyre dhe konstante, vështirë se do të mund të shuhen këto vatra, thotë Stojanovi. 
 
“Gjatë orëve të hershme të mëngjesit, zjarret po normalizohen dhe dalëngadalë po shuhen. Vizualisht për shkak të terrenit të papërshtatshëm në këtë mal,  ato nuk mund të shihen se sa vatra aktive janë. Kur temperaturat rriten brenda ditës, vjen deri në rritje të intensitetit të këtyre zjarreve dhe atëherë është shumë e vështirë për t’iu afruar zjarreve dhe të intervenohet përmes vijës së këmbësorisë. Shpresoj se gjatë ditës së sotme këtu do të vijnë edhe “aer traktorët” tanë dhe atyre të ndihmave nga jashtë.”, - theksoi kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov.
 
Angellov: Pa ndihmë do ta kemi vështirë të përballemi
 
Zjarri në malin Serta tashmë ka kapluar edhe një pjesë të pyllit me pisha, duke u përafruar edhe tek lagjja e vikend-shtëpizave. Zjarret u përhapen edhe në rajonin e Radovisht, Novo Sellës dhe Manastirit. Edhe këtu, në këto zona sa herë që ato vihen nën kontroll, papritmas përsëri shpërthejnë.  Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojanço Angellov, thotë se të gjitha “aer traktorët” të siguruara janë vënë në funksion të plotë. Ata vazhdimisht po tentojnë t’i shuajnë vatrat më të mëdha, por e pranon se situata është e vështirë dhe kritike. 
 
“Kemi të bëjmë me zjarre shumë të mëdha, që kërkojnë shuarje jashtëzakonisht të vështirë. Për shkak të rritjes së temperaturave, helikopterët e armatës dhe të policisë duhet të tërhiqen, ndërsa helikopteri i Turqisë, i cili është më i fortë vazhdoi të shuajë zjarret këtu. Erdhën në ndihmë edhe pesë “aer traktorët” të cilët paraprakisht vepruan mbi zjarret në Manastir. Gjendja është e vështirë edhe në Radovish, sepse zjarri i cili pjesërisht ishte vënë nën kontroll, përsëri u përhap ku një pjesë e përfshiu edhe pyllin me pisha, edhe këtu do të intervenojmë sa më shpejtë që mundemi.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.
 
Në betejën me zjarret, BE-ja ofron 4 helikopterë dhe 3 aeroplanë
 
Edhe BE-ja ndihmon Maqedoninë e Veriut. Me vendim të Komisionit Evropian janë shpërndarë katër helikopterë dhe tre aeroplanë drejt vendit tonë, të cilët do të përfshihen në shuarjen e zjarreve. 
 
“Me aktivizimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, katër helikopterë dhe tre aeroplanë zjarrfikëse nga Kroacia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia janë shpërndarë në Maqedoninë e Veriut. Jemi të gatshëm të sigurojmë edhe ndihmë tjetër, po që se paraqitet nevoja.”, - theksoi zëdhënësi i KE-së për ndihmë humanitare dhe kriza, Ballash Ujvari.
 
Deri në këto momente vlerësohet se vetëm në malin Serta janë shkrumbuar rreth 300 hektarë pyje malore. Dëmet materiale ende janë herët për t’i përllogaritur, mirëpo faktori njeri supozohet se është shkak i shpërthimit paraprak të këtyre zjarreve, thonë autoritetet. 
 
REXHEP QAMILI