Maqedoni
Korrupsioni, VMRO: Të hetohet hacienda e Petrovskës në Radishan
16.07.2024 15:00
Luftimi i korrupsionit në fokus të partive politike, duke shënjestruar njëra-tjetrën për shpërdorim të parave publike...

Luftimi i korrupsionit në fokus të partive politike, duke shënjestruar njëra-tjetrën për shpërdorim të parave publike. Ish-ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, tani deputete, në qendër të akuzave të VMRO-DPMNE-së, për posedim të jashtëligjshëm të një haciende në Radishan të Shkupit. Sipas deputetit të partisë, Toni Jarevski, për vilën nuk ekziston dokumentacion. Ai fton antikokurrupsion që të hetojë rastin.
“Petrovska e ka fshehur haciendën, por faturat e rrymës dhe ujit të cilat u publikuan, e të cilat janë në emër të babait të saj, flasin se ka lidhje me pronën kontestuese. Petrovska të mos fshihet dhe të thotë se a po e shfrytëzon haciendën, a e shfrytëzon dikush nga familja e saj, përse e fsheh dhe me çfarë parash është bërë? Antikorrupsioni të mos presë Petrovskën të prononcohet, por të hapë lëndë për haciendën e Sllavjankës. Mjafton që si pikënisje të hetimit të shoh se në emër të kujt janë faturat e haciendës luksoze.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE – së, Toni Jarevski.
LSDM: Të zbardhet udhëtimi i djalit të Mickoskit
Socialdemokratët thonë se provokimet e VMRO-DPMNE-së që antikorrupsioni të merret me Petrovskën, duan të minimizojnë skandalin familjar të udhëtimit të Mickoskit me djalin në Uashington. Kërkojnë nga Antikorrupsioni të jetë i pavarur në hetim.
“Përpjekja e sotme e VMRO-së me gjoja kërkesë për hetim të pronës së deputetes Sllavjanka Petrovska, konfirmon dyshimet se diçka serioze po zihet me udhëtimin e Mickoskit me djalin në Uashington. Antikorrupsioni duhet të mbetet i pavarur dhe mos të bie preh i trysnive të VMRO – DPMNE-së. I ftojmë që në një afat sa më të shkurtër të hetojnë dhe përgjigjen se a janë keqpërdorur paratë shtetërore për udhëtime private të familjes së Mickoskit.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Socialdemokratët vlerësojnë se opinioni duhet të shohë se me paratë e kujt është paguar udhëtimi, pasi që Mickoski ende nuk ka publikuar fatura private.
MERAL ISMAILI
