Maqedoni
Tetovë, Kasami inspekton punimet në bulevardin “Ilinden”
16.07.2024 15:18
Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i shoqëruar edhe nga kryeshefi i policisë, Rijat Ali...

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i shoqëruar edhe nga kryeshefi i policisë, Rijat Ali, dhe drejtori i parkingjeve të qytetit, kanë inspektuar sot rrjedhën e punëve të policisë dhe merimangës, për pastrimin e bulevardit të Ilindenit nga parkimet joligjore. Sipas të parit të Tetovës, Bilall Kasami, qytetarët duhet respektuar vendimin, pasi sipas Kasamit, në bulevarde nuk lejohet parkimi i veturave. Kasami kërkoi edhe nga qytetarët që më shumë të shfrytëzojnë transportin publik, me qëllim që të mos ngarkohet, edhe ashtu i ngarkuar, komunikacioni në Tetovë.
“Në kuadër të marrëveshjes me SPB-në dhe Parkingjet e Tetovës, rrugët dhe bulevardet ku është e ndaluar parkimi, banorët nuk do lejohen të parkojnë, sepse pengojnë lëvizjen e lirë të makinave. Banorët e Tetovës i lusim që në këtë periudhë të mos dalin me makinat e tyre, por të shfrytëzojnë transportin publik që të mos rëndojmë lëvizjen e lirë të makinave sa janë mërgimtarët këtu. Ky është aksioni i parë me SPB-në, që kemi tanimë bashkëpunim të mirë, dhe në ditët në vijim bashkë me SPB-në do të jemi në koordinim të përditshëm për të qenë në shërbim të qytetarëve.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Përndryshe ky aktivitet i shtuar do të vazhdojë deri më 15 gusht, për aq sa do të jenë mërgimtarët në vendlindje, ndërsa do të ndalohen për qarkullim makinash në orët e mbrëmjes edhe në bulevardin “Iliria”, ku janë paraparë që të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, në kuadër të Verës Kulturore Tetovare.
VISAR SADIKI
