Maqedoni

Rasti me foshnjën tremuajshe, Memedi: Nuk ka masë disiplinore për infermieren

16.07.2024 15:35

Nuk do të ketë masa disiplinore ndaj infermieres për të cilën dyshohej se ka keqtrajtuar foshnjën....

Nuk do të ketë masa disiplinore ndaj infermieres për të cilën dyshohej se ka keqtrajtuar foshnjën tremuajshe në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup. Drejtori i Klinikës, Rexhep Memedi, tha se infermierja nuk ka pasur qëllime për të lënduar foshnjën, por që mavijosjet janë shfaqur si pasojë e procedurës për marrjen e gjakut venoz. Janë zbardhur të gjitha dilemat dhe paqartësitë, ndërsa të dy palët arritën pajtim mes veti, shtoi Memedi.
 
“U vërtetua se infermierja nuk ka pasur për qëllim të lëndojë foshnjën, por që ato hematoma apo mavjiosje në krahun e djathtë kanë ndodhur gjatë procedurës së marrjes së gjakut venoz për analizë më datë 11 korrik të vitit 2024. U mbajt një takim dypalësh, prindërit e foshnjës dhe infermieres, me ç’rast prindërit e fëmijës u treguan të virtytshëm, edhe infermierja u akordua që ky incident më shumë ishte rezultat i keqkomunikimit dhe keqkuptimit dhe më në fund të dy palët zgjatën dorën e pajtimit. Pasi u arrit pajtim mes dy palëve, Komisioni ndërpreu punimet.”, - deklaroi drejtori i Klinikës për fëmijë, Rexhep Memedi.
 
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se nuk ka dëshmi të keqtrajtimit, por pakujdesi. Tha se do të vizitojë dhe reagojë për çdo pacient ku do të paraqitet nevoja.
 
“Nuk ka dëshmi se është bërë me qëllim, kështu që unë thash edhe në fillim, të jemi të kujdesshëm, t’i dëgjojmë të dy palët. Nuk besoj që ka punonjës shëndetësor që është i gatshëm të lëndojë fëmijë tremuajsh. Kështu që të jemi të kujdesshëm, të presim t’i lexojmë me shkrim të gjitha konstatimet e Komisionit të Klinikës së Pediatrisë dhe sërish do të informojmë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Nga Klinika për sëmundje të fëmijëve thonë se raste të tilla ka pasur edhe më herët, por që do të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre dhe t’i kenë në prioritet pacientët.
 
FLORIJE KAMBERI