Maqedoni
Ahmeti angazhon ekip në krye me P. Uilliams, do të kërkojë zgjidhje për respektimin e vullnetit
16.07.2024 15:51
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, do të angazhojë ekip ndërkombëtar në krye me Paul Uilliam...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, do të angazhojë ekip ndërkombëtar në krye me Paul Uilliam për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe legjitimitetit etnik që buron nga fryma e MO-së. Kështu ka informuar nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, duke bërë të ditur se BDI-ja me ngulm do të kërkojë respektimin e legjitimitetit.
“Ekipi është duke punuar në disa ide të propozuara për të pamundësuar mosrespektimin e vullnetit të votuesve në të ardhmen dhe shkeljen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se esenca e Marrëveshjes së Ohrit është të parandalojë sundimin e shumicës (majorizimin) mbi komunitetin e dytë më të madh ne vend, duke promovuar kështu një demokraci të vërtetë multietnike dhe konsensuale.”, ka shkruar nënkryetari i BDI-së, Ademi.
Shkrirja e VLEN-it në një subjekt politik, Kasami: Pas zgjedhjeve lokale, e mundshme
Ndërkohë në anën tjetër, koalicioni VLEN tani më ka filluar paralajmërimet për shkrirje në një subjekt të vetëm politik. Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, tha se VLEN-i tani më funksionon me disa organe të përbashkëta si Komisioni Kadrovik dhe Trupi Koordinativ dhe kështu do të funksionojë deri në zgjedhje lokale të cilat janë vitin e ardhshëm, kurse shkrirja në një parti do të mund të ndodh pas zgjedhjeve.
“Sigurisht që ka një dakordësi që koalicioni VLEN të shikojë si një trup i përbashkët. Pas zgjedhjeve lokale, konform gjithë asaj që presim si rezultat pozitiv do të shkojmë në një hap tjetër të një bashkimi të nivelit më të lartë. Patjetër që ne jemi duke shkuar në atë drejtim.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Lidhur me deklaratat e zëvendëskryeministrit, Ivan Stoillkoviq, se do të rishikohen të gjitha kontratat në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, Kasami tha se evidente është që në atë institucion ka pasur manipulime dhe qëndrimi i tij dhe i Lëvizjes “Besa” është që nuk tolerojnë që dikush të marrë pagë dhe të mos shkojë në punë.
ERSAN PAJAZITI
