Maqedoni

Komisioni për shëndetësi, debat për heqjen e drejtorëve ekonomikë

16.07.2024 16:06

Komisioni Kuvendor për Shëndetësi debatoi heqjen e drejtorëve ekonomikë....

Komisioni Kuvendor për Shëndetësi debatoi heqjen e drejtorëve ekonomikë. Qeveria pretendon se me këtë propozim-ligj kursehen para diku rreth 2 milionë euro, racionalizim  dhe efikasitet më të mirë të objekteve shëndetësore. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, mbështet këtë propozim-ligj, por sipas kalkulimeve të tij, kursimet do të jenë shumë të vogla, e jo 2 milionë euro. Ai pyet Taravarin se si me heqjen e 40 posteve do të kthehet sistemi meritor në shëndetësi? 
 
“Si me zvogëlimin e 40 posteve do të kthejmë sistemin e meritës në shëndetësi? A do të thotë kjo se këto drejtorë organizativ kanë qenë meritor që të kryejnë detyrën e tyre dhe tani do t’i ndëshkojmë? Në mesin e tyre a nuk ka njerëz me vlerë që duhet të vazhdojnë të udhëheqin institucione apo duhet të jetë dikush që ka merita, por nuk ka asnjë njohuri menaxheriale?”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
 
“Në qendrën klinike deri tash ka pasur 64 drejtorë. Unë besoj se për një vit do të ketë 1 drejtor, në Tetovë ka 3 do të ketë 1, në qytetet tjera gjithashtu. Racionalizmi do të vazhdojë dhe besoj se do të ketë edhe kursim, kështu kanë funksionuar klinikat edhe më herët dhe kanë funksionuar shumë më mirë  për çështjet ekonomike. Mund të ketë një shef administrate dhe sa për meritë sistemim, as që diskutohet se klinikat duhet të zgjedhin më të mirin prej atyre, që mund të organizojë klinikën.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
“Fronti Evropian” – VLEN-i, përplasen për ligjin për përdorimin e gjuhëve
 
Salla e komisionit u shndërrua në “ring” për përplasje politike mes deputetëve të “Frontit Evropian” dhe Koalicionit VLEN. Ilire Dauti nga “Fronti Evropian” reagoi duke thënë se propozim-ligji është dorëzuar vetëm në gjuhën maqedonase dhe kështu është shkelur ligji për përdorimin e gjuhëve. Me kundër reagim, Snopçe i cili tha se pikërisht koalicioni në të cilin bën pjesë Dauti asnjëherë nuk ka shfrytëzuar ligjin për përdorimin e gjuhëve.  
 
“Tani hidhni gjithë atë mundin tonë që e kemi bërë për katër vite si deputetë të Aleancës për Shqiptarët dhe përveç asaj ju bëni edhe gjë tjetër, paraqitni agresion të jashtëzakonshëm ndaj shqiptarëve, jo vetëm ndaj gjuhës. Ju e dini se drejtorët ekonomikë shumica kanë qenë shqiptarë.”, - theksoi deputetja e koalicionit “Fronti Evropian”, Ilire Dauti. 
 
“Ti shkove me BDI-në, që asnjëherë nuk e ka përmendur sekuencën e heqjes së gjuhës shqipe. Ti shkove bashkë me ato që asnjëherë asnjë ligj se kanë përkthyer në të kaluarën, sepse edhe kjo ishte gënjeshtër. The se e detyruam Qeverinë të përkthejë ligjet, ligjet nuk janë përkthyer.”, - u shpreh deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe.
 
Projektligji pritet të heqë dualizmin në menaxhimin e spitaleve dhe të dihet saktësisht se kush çfarë përgjegjësie ka.
 
SANIJE DURAKU