Maqedoni
“Lufta” kundër zjarreve në vend, Angellov: Gjendje më e rënduar në malin Serta
17.07.2024 14:00
Vazhdon “lufta” kundër stuhive të mëdha me zjarret në vend....

Vazhdon “lufta” kundër stuhive të mëdha me zjarret në vend. Gjatë ditës së mërkurë u regjistruan 18 vatra aktive në vend. Gjendja më alarmante mbetet në malin Serta, Ograzhden dhe Novo Sellë. Flakët aty assesi nuk mund të vihen nën kontroll dhe të shuhen në tërësi, edhe pse mbi to po intervenohet me gjithë mekanizimin e mundshëm për shuarjen e zjarreve nga ajri dhe toka. Në shuarjen e këtyre zjarreve do të bashkëngjiten edhe dy aeroplanët e Rumanisë “Spartaku“ dhe “Herkuli”, të cilët kanë kapacitet të madh të hedhjes së ujit mbi këto vatra.
“Katër helikopterë, dy prej të cilave të policisë dhe dy të armatës fluturuan drejt malit Serta, respektivisht në fshatin Kallanjevë në rajonin e Radovishit. Në territorin e Gjevgjelisë mbi fshatin Negorcë kemi dërguar dy helikopterë sllovenë, ndërsa në komunën e Novosellës në malin Ograzhden dërguam një helikopter të madh turk dhe një serb me pesë tonë ujë, por për shkak të situatës kritike me zjarret në rajonin e Radovishit, një prej tyre e ridërguam aty.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov.
Stojanov: Situatë kritike, vatra pranë shtëpizave
Për shkak të zjarrit të madh në malin Serta, tërësisht u mbyll për qarkullim rruga rajonale Negotinë – Shtip. Kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov, thotë se situata me zjarret bëhet gjithnjë më kritike. Flakë të mëdha vazhdojnë të shkrumbojnë pasuritë pyjore dhe t’i përafrohen edhe më shumë lagjes së shtëpizave.
“Zjarret që kapluan malin Serta janë ende aktive dhe janë me tendencë për t’u përhapur edhe në më shumë lokacione tjera. Situata bëhet alarmante dhe kritike, duke paraqitur rrezik, ato përhapen edhe në vendbanimin Kallanjevë, ku përsëri po aktivizohen vatrat. Për momentin mbi këto vatra veprojnë helikopterët nga jashtë, ndërsa ne vazhdojmë të qëndrojmë dhe të vëzhgojmë situatën.”, - theksoi kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov.
Për dallim nga situata me zjarret në malin Serta, ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve me ndihmën e aeroplanëve dhe helikopterëve mbrëmë arritën të shuajnë të gjitha vatrat e përhapura në Manastir. Pavarësisht kësaj, ankthi dhe frika janë të mëdha mos ato përhapen përsëri. Për çështje sigurie ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve vazhdojnë të qëndrojnë dhe të mbikëqyrin terrenin.
“Falë ndihmës nga ajri, gjatë orëve të natës arritëm t’i vëmë nën kontroll zjarret e përhapura në këtë rajon, ndërsa në orët e sotme të mëngjesit bëjmë vetëm shuarjen e plotë të vatrave të lokalizuara. Ne vazhdojmë të qëndrojmë dhe të kontrollojmë të gjithë terrenin këtu. Kemi ekipe të mjaftueshme dhe tani për tani situata me zjarret është e qetë.”, - u shpreh shefi i zjarrfikësve, Goran Dimkovski.
Ekipet e zjarrfikësve po punojnë edhe në shuarjen e zjarreve në rrethinën e Shkupit, respektivisht po intervenojnë mbi vatrat e një fushe në afërsi të komunës së Zellenikovës. Ekipe intervenojnë edhe mbi disa zjarre në afërsi të fshatit Cërnlishte në Qytetin e Prilepit, të cilët katër herë me radhë u shuan dhe u rindezën përsëri. Deri në këto momente ende nuk është përllogaritur se është dëmi material nga këto zjarre. Ajo që përafërsisht dihet është se mbi 300 hektarë pyje malore është shkrumbuar vetëm në malin Serta, ndërsa autoritetet e vendit supozojnë se faktori njeri është shkak i shpërthimit paraprak të këtyre zjarreve.
REXHEP QAMILI
