Maqedoni

Ministria e Financave prezanton ribalancin e buxhetit, 4.1 miliardë denarë për paga, 5 miliardë për pensione

17.07.2024 14:57

Shteti në kaos, kurse ekonomia në vdekje klinike....

Shteti në kaos, kurse ekonomia në vdekje klinike. Kështu u shpreh ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, gjatë prezantimit të propozim ribalancit të buxhetit. Ajo informoi se të hyrat e përgjithshme në buxhet janë planifikuar në 318 miliardë e 150 milionë denarë, kurse shpenzimet janë planifikuar në 362 miliardë e 816 milionë denarë. Me ribalancin e buxhetit, siç njoftoi Dimitrievska Koçovska, do të ketë rritje të rrogave dhe pensioneve.
 
“Me ribalancin janë siguruar 4.2 miliardë denarë për paga, prej të cilave 1.1 miliard denarë për bllok-dotacione, të cilat nuk janë planifikuar në buxhetin themelor. Në disa institucione ishin planifikuar paga vetëm deri në muajin qershor. Janë evidentuar probleme serioze në këtë pjesë të cilat janë si rezultat i qasjes individuale e qeverisë së kaluar për pagat. Prandaj e gjithë kjo kërkon analizë të detajuar dhe sjelljen e vendimeve serioze. 5 miliardë denarë për pensione.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.
 
Dimitrieska Koçoska tha se është shqetësues fakti që një numër i madh i ndërmarrjeve shtetërore nuk mund të paguajnë këstet e kredive të garantuara nga shteti, andaj me ribalancin është dashur të përcaktohet një shumë shtesë.
 
“5,1 miliardë denarë do të shpenzohen për borxhet e NP “Rrugët Shtetërore”, NQP-së, Hekurudhave, për shkak se nuk mund t'i paguajnë kreditë për të cilat shteti garanton dhe 600 milionë denarë do të shpenzohen për mbulimin e borxheve nga vendimet gjyqësore.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska. 
 
Ministrja e Financave tha se para do të ndahen edhe për sport, për projektin “TVSh-ja ime”, për subvencione për bujqit, si dhe për libra për të gjithë fëmijët. Me ribalancin e ri të buxhetit, inflacioni parashikohet të jetë rreth 3.5%, kurse rritja reale pritet të jetë rreth 1%. 
 
ERSAN PAJAZITI