Maqedoni

Qeveria i propozoi Kuvendit emrat e zëvendësministrave

17.07.2024 15:15

Qeveria kompleton ekipin qeveritar duke i propozuar Kuvendit emrat e zëvendësministrave...

Qeveria kompleton ekipin qeveritar duke i propozuar Kuvendit emrat e zëvendësministrave. Koalicioni VLEN do të jetë e përfaqësuar me 7 zëvendësministra. Elfete Ismaili propozohet për zëvendësministre në Ministrinë e Mbrojtjes, Astrit Iseini propozohet për zëvendësministër i Brendshëm,  Flakron Bexheti propozohet për zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave. Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës propozohet Lulzim Aliu, Sedat Sulejmani është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Kaltrina Zekolli Shaqiri do të jetë zëvendësministre në Ministrinë e Transportit, ndërsa zëvendësministre në Ministrinë e Sportit propozohet Safije Sadiki Shaini. 
 
Postet e zëvendësministrave në ministritë e tjera do të jenë nga partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës. Alen Dereban propozohet për zëvendësministër në Drejtësi; Zoran Dimitrovski, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme; zëvendësministre e Çështjeve Evropiane, Viktorija Trajkova; Nikolçe Jankullovski në Ministrinë e Financave; Nezhdet Mustafa, në Ministrinë e Marrëdhënieve me Komunitetet; Marjan Risteski në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës; zëvendësministër në Ministrinë e sapoformuar të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale caktohet Miroslav Labudoviq. Zëvendës i Taravarit në Shëndetësi propozohet Jovica Andovski. Gjoko Velkovski në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Erxhan Selimi propozohet në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Radoslav Nastasijeviq Varxhiski në Ministrinë e Transformimit Digjital. Për zëvendësministër në Ministrinë e Administratës Publike propozohet Llaze Jaqimoski. Ane Lashkoska do të jetë zëvendëse e ministrit Izet Mexhiti në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
 
Qeveria emëroi u.d. drejtorë në 11 institucione
 
Qeveria njëherësh ka emëruar ushtrues detyre të më shumë institucioneve. Granit Osmani emërohet ushtrues detyre drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në Inspektoratin Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale caktohet Haqim Ramadani. Shaban Allajbegu caktohet në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit. Xheladin Xheladini emërohet për ushtrues detyre drejtor i Institucionit ndëshkues përmirësues Burgu i Tetovës. Ushtrues detyre caktohen edhe në Byronë për Vlerësim, Byronë e Meteorologjisë, në Inspektoratin Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, Agjencinë për Rezervat e Mallrave, Agjencinë për Punësim në nivel të qytetit të Shkupit, por edhe republikan; si dhe ushtrues detyre në Entin Shtetëror për Pronësi Industriale.
 
MERAL ISMAILI