Maqedoni

Zjarri në malin Serta po shuhet nga ajri dhe toka, Stojanov: Shuhen disa vatra, druajmë mos të rindizen

18.07.2024 14:50

Vazhdon “beteja” kundër stuhive të mëdha me zjarret në vend...

Gjithsej 13 vatra jenë aktive në vendin tonë, ndërsa gjendja më alarmante vazhdon të jetë tek mali Serta. Edhe gjatë 24 orëve të fundit flakët shumë vështirë mundeshin të vihen nën kontroll.
 
Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, të policisë, ndërmarrjeve komunale dhe të vullnetarëve, me gjithë mekanizimin e mundshëm që kanë në dispozicion, pa ndërprerje po intervenojnë mbi to.
 
Falë aeroplanëve dhe helikopterëve nga vendi dhe rajoni të cilët hidhnin sasi të mëdha të ujit janë shuar disa vatra në malin Serta. Gjendja më kritke paraqitet tek zona e malit Serta, e cila shtrihet në anën e Shtipit dhe të Negotinës. Intervenohet edhe mbi vatrat të përhapura në Negorcë, Kovanecë, Çashkë, Gabrovnik, Slepçe, Dollnen dhe Delçevë. Shtabi i krizës i bashkësisë, si dhe Qendra për Menaxhim me Kriza po mobilizojnë të gjitha resurset për të parandaluar përhapjen e flakëve nëpër vendbanime.
 
“Pas veprimit të aeroplanëve tanë gjatë orëve të mëngjesit erdhi deri në uljen e intensitetit të disa vatrave dhe për momentin kemi një ndalesë  të përkohshme të vatrave këtu në Kallanjevë. Po shpresojmë se kjo situatë e qetësuar e vatrave do të vazhdojë deri në fund të kësaj dite dhe ditën e nesërme, ku do  të mund të ndërmarrim masa tjera me të cilat përmes vijës këmbësore dhe makinerisë do të bëjmë një rreth të  mbrojtjes për rreth fshatit, ku nëse përsëritet zjarri, të mund të intervenojmë me automjetet e zjarrfikësve.”, - deklaroi kryetari i komunës së Negotinës, Goran Stojanov.
 
Angellov: Fryma ngadalëson shuarjen e plotë 
 
“Ditë me radhë po tentojmë ta shuajmë këtë zjarr, mirëpo siç mund të shihni dhe vëreni ballafaqohemi me frymë, e cila ndryshon drejtimin e tij nga çasti në çast dhe kjo gjë vështirëson shumë shuarjen e zjarreve. Terreni është jashtëzakonisht i papërshtatshëm. Për momentin në malin Serta, në rajonin e Negotinës, aktualisht po veprojnë dy helikopterë policorë dhe një nga Mali i Zi. Efekti është i mirë, mirëpo larg pritshmërisë sonë, sepse po bëhet fjalë për zjarre të cilat janë përhapur në një territor të madh.”, - theksoi drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov.
 
300 ushtarë të rinj në ndihmë në malin Serta, Davkova: Të shihen mundësitë organizative
 
Bazuar në nevojën dhe kërkesat e treguara për vëllim më të madh të angazhimit në shuarjen e zjarreve, presidentja e shtetit dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska – Davkova, angazhoi edhe 300 pjesëtarë të tjerë të ushtrisë në  përpjekje për shuarjen e zjarreve. Njëherit ajo vizitoi edhe ushtarët që po shuajnë zjarrin në malin Serta.
 
“Nuk është vetëm vendi ynë nën flakë, por  i gjithë rajoni është i përfshirë nga zjarret. Ajo që mund të them është se ndoshta kur do të lokalizohen zjarret në tërësi, urgjentisht do të duhet të ulemi dhe të mos presim verën e ardhshme, por të rilexojmë dhe rishfletojmë ligjin aktual për menaxhim me kriza, të rishqyrtojmë organizimin tonë institucional, të shohim se ku janë pikat më të dobëta, të shohim se pse armata është gjithmonë e nevojshme dhe pse jo ndoshta të promovojmë edhe një qasje të re rajonale për shuarjen e zjarreve.”, - u shpreh presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska – Davkova.
 
Në shuarjen e zjarreve në malin Serta tashmë disa ditë janë bashkangjitur edhe shumë vullnetarë. Përforcime shtesë ka dërguar edhe MPB-ja me gjithsej 60 pjesëtarë të tjerë të EBR-së në këtë zonë malore. 
 
REXHEP QAMILI