Botë
Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu me kërcënime të ndërsjella
18.07.2024 15:13
Izraeli është i gatshëm të arrijë marrëveshje me Hezbollahun...

Izraeli është i gatshëm të arrijë marrëveshje me Hezbollahun, nëse kjo e fundit tërheq luftëtarët nga kufiri, tha ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Joav Galant. Në të kundërtën paralajmëroi grupin militant libanez se Izraeli mund të nisë një ofensivë të re.
“Nëse Hezbollahu dëshiron të arrijë marrëveshje me ne dhe të vijë në një situatë që ata të lënë vijën kufitare dhe zonat përtej lumit, siç parashikohet nga rezoluta e OKB-së, ne do të pajtohemi me ta. Ndërkohë ne po bëjmë një luftë të kufizuar në rajonin verior. “Ne përdorim një pjesë të vogël të fuqisë së mbrojtjes izraelite, por gjërat mund të ndryshojnë në një sekondë, nga një përpjekje e madhe në jug në një përpjekje të madhe në veri.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
Hezbollahu ka thënë më parë se do të ndalojë luftën kundër Izraelit pasi të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gazë. Ndërkohë luftimet po vazhdojnë në Gazë. Të paktën 3 palestinezë u vranë si pasojë e sulmit nga Izraeli në një automjet në qytetin Deir Belah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Në deklaratën me shkrim të Njësisë së Mbrojtjes Civile në Gazë thuhet se avionët luftarakë izraelitë kanë shënjestruar një automjet në qytetin Deir Belah.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 38.794 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra, ndërsa 89.364 persona u plagosën.
BELINDA KOKA ADEMI
