Maqedoni

Marrëveshja e Ohrit, “Fronti Evropian” përgatitet për draft ligjor

18.07.2024 15:36

“Fronti Evropian” përgatit draft version për interpretim autentik të Marrëveshjes së Ohrit...

“Fronti Evropian” përgatit draft version për interpretim autentik të Marrëveshjes së Ohrit, sa i përket legjitimitetit të votës shqiptare dhe zbatimit të parimit fituesi me fituesin në formimin e Qeverisë. Deputeti Bexheti thotë se për t’u ndaluar tendenca e majorizimit do të përpilojnë ligj me ndihmën e ekspertëve të përfshirë në përpilimin e Marrëveshjes së Ohrit.
 
“Të angazhohen ekspertë që kanë qenë njohës të rrethanave që kanë qenë të angazhuar për Marrëveshjen e Ohrit, pasi që për herë të dytë ndodh që legjitimiteti etnik të mos respektohet dhe është një përcaktim i gjithanshëm i shqiptarëve që kjo dukuri të luftohet me forma politike demokratike dhe gjithsesi se ne do të hartojmë draft që do të rregullojë këtë çështje.”, - deklaroi deputeti i “Frontit Evropian”, Blerim Bexheti.
 
VLEN: S’ka element që rrezikon dokumentin
 
Nga VLEN-i konsiderojnë se paralajmërimet e opozitës shqiptare janë të panevojshme dhe një narrativ i dëgjuar veç më për kinse zhbërje të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas deputetes, Imeri nuk ka asnjë element që rrezikon Marrëveshjen e Ohrit.
 
“BDI-ja në të kaluarën ka pasur kohë që këtë ta transferojë në ligj d.m.th. përveçse një marrëveshje xhentëlmenësh, diçka të tillë nuk ekziston, por në të ardhmen, unë mendoj se nuk do të ishte e përshtatshme që kjo të kthehet në një ligj për shkak se rrethanat mund të vijnë në atë situatë ku puna dhe situata momentale e kërkon sikurse ishte në vitin 2016, që fituesi me fituesin të mos bëjë qeveri dhe ajo normalisht se shkoi në dobi të qytetarëve ku Maqedonia ndërroi emrin dhe u bë anëtare e NATO-s.”, - theksoi deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri.
 
Koalicionet shqiptare me qëndrime ndryshe edhe sa I përket shkarkimit të drejtorëve ekonomik në klinika. Sipas koalicionit VLEN, BDI-ja dëshiron të mbrojë drejtorët e inkriminuar, të cilët do të zbulohen me revizionin që ka paralajmëruar VLEN-i.
 
Ndërkaq nga “Fronti Evropian” konsiderojnë se ministri i Shëndetësisë, Taravari, po ushtron presion psikologjik ndaj drejtorëve organizativ dhe medicinal, që të japin dorëheqje edhe përkundër vazhdimit të mandatit të tyre.
 
MERAL ISMAILI