Maqedoni

Të shtëna me armë në Çair, u plagos një 31-vjeçar nga Shkupi

18.07.2024 16:23

Të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve janë shkëmbyer në këtë rrugë të Çairit të Shkupit...

Të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve janë shkëmbyer në këtë rrugë të Çairit të Shkupit, ku për pasojë është plagosur një tridhjetë e një vjeçar nga Shkupi. Siç informojnë nga MPB-ja, mbrëmë para orës 22:00, ai është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, pasi ka pësuar lëndim me armë zjarri. MPB-ja e konfirmon incidentin. 
 
‘Mbrëmë në ora 21:50 në SPB-Shkup është lajmëruar se në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” është sjellë 31-vjeçari, D.B., nga Shkupi, i cili ka qenë i lënduar nga armë zjarri në territorin e Çairit në Shkup. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andrejevski. 
 
Lidhur me këtë rast kanë reaguar nga LSDM-ja opozitare, duke theksuar se me qeverisjen e VMRO-DPMNE-së të shtënat dhe përleshjet kriminale po vazhdojnë të ndodhin dhe situata e sigurisë po bëhet jashtëzakonisht e keqe.
 
“Paaftësia e VMRO-DPMNE-së inkurajon kriminelët dhe e kthen Maqedoninë në Perëndim të egër. Nuk ka zgjidhje për krimet më të rënda. Prej se Toshkovski dhe VMRO-DPMNE-ja janë në krye të MPB-së, pesë vrasje mbeten të pazbardhura dhe kjo inkurajon personat e armatosur dhe banditë.”, thonë nga LSDM-ja. 
 
Përndryshe, sipas të dhënave jozyrtare thuhet se përleshja me armë ka ndodhur mes dy grupeve kriminale, të cilat janë takuar për t’u pajtuar, por sipas të gjitha gjasave takimi i tyre nuk ka shkuar siç duhet.
 
Megjithatë institucionet nuk na konfirmuan një gjë të tillë, duke thënë se hetimi është i hapur, kurse më tepër detaje do të japin kur hetimi do të ketë epilog. 
 
ERSAN PAJAZITI