Botë
Strasburg, Von Der Lejen edhe një mandat në krye të KE-së, Von Der Lejen: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE
18.07.2024 17:09
Ursula von der Lejen sërish në krye të Komisionit Evropian...

401 deputetë në Parlamentin Evropian i thanë po asaj për të qëndruar shefe e ekzekutivit të BE-së edhe në një mandat pesëvjeçar.
Në fjalimin e saj Von Der Lejen u ndal edhe për rajonin tonë, duke thënë se zgjerimi i BE-së do të jetë prioritet. Sipas saj, Ballkani Perëndimor dhe disa vende në krizë kanë zgjedhur lirinë në vend të shtypjes.
“Jam thellësisht e bindur. Historia thërret sërish. Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë bërë zgjedhjen e tyre të lirë. Kanë zgjedhur lirinë kundrejt shtypjes. Ata kanë zgjedhur demokracinë dhe disa prej tyre po paguajnë çmim të lartë për këtë zgjidhje. Pra, ne duhet ta bëjmë zgjedhjen tonë, të sigurojmë angazhimin që e ardhmja e tyre të jetë e lirë, prosperuese dhe në suaza të Bashkimit Evropian.”, - deklaroi kryetarja e KE-së, Ursulla von der Lejen.
Von Der Lejen: Të ndalen luftërat, Gaza nuk duron më
Von Der Lejen theksoi patjetërsueshmërinë e ndërprerjes së luftërave në Ukrainë dhe në Gazë. Banorët e Gazës nuk mund të durojnë më, tha ajo përpara eurodeputetëve në Strasburg.
“Dua të jem shumë e qartë. Gjakderdhja në Gazë patjetër të ndërpritet tani. Shumë fëmijë, gra dhe civilë kanë humbur jetën e tyre si pasojë e përgjigjes së Izraelit ndaj Hamasit. Njerëzit e Gazës nuk mund të përmbahen më dhe njerëzia nuk mund të përmbahet më. Na duhet urgjent një armëpushim të qëndrueshëm, na duhet lirim i pengjeve izraelite dhe duhet të përgatitemi për ditën më pas.”, - theksoi kryetarja e KE-së, Ursulla von der Lejen.
Fati i Evropës varet nga ajo se çka do të bëjmë më tutje. Evropa tani ballafaqohet me zgjidhje të qartë, е cila do t’i jep formë punës sonë në pesë vitet e ardhshme, theksoi mes tjerash Von Der Lejen, e që sipas saj, bota për momentin gjendet në periudhë të thellë ankthi dhe pasigurie.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
