Botë
Vazhdon moti ekstrem, “digjet” Ballkani dhe Evropa
18.07.2024 17:55
Paralajmërimet për motin ekstrem mbeten në fuqi për Evropën...

I gjithë Ballkani dhe pjesë të Evropës Lindore janë nën ndikimin e valës së të nxehtit. Temperatura jashtëzakonisht të larta janë regjistruar në Rumani, Serbi, Shqipëri, Bullgari, Bosnje Hercegovinë, Greqi, si dhe në vend. Kroacia regjistroi temperatura rekord të detit që arritën 30 gradë Celsius.
“Në fund të fundit, deti është më shumë kënaqësi mendore sesa freskim i vërtetë.”, - tha një turist.
“Kam dëgjuar shumë se si temperatura po rritet në të gjithë Evropën dhe e kemi parë edhe këtu.”, - tha një turiste nga Suedia.
Për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë këto dy javë, rajoni po përballet me kushte zjarri. Zjarret kanë shpërthyer në Shqipëri, Bullgari, Greqi, ku është shpallur rrezik i lartë i flakëve në disa qarqe. Së paku 35 shtëpi u dogjën nga zjarret në Bullgari.
“S’më mbeti asgjë, flakët mi morën të gjitha.”, - u shpreh një banore e Bullgarisë.
“Shkuam tek pylli dhe filluam ta shuajmë zjarrin dhe sa menduam se e ndaluam, filluan të aktivizohen sërish flakët e zjarrit.”, - u shpreh një banor tjetër i Bullagrisë.
Ministria greke e Kulturës urdhëroi mbylljen e Akropolit për disa orë gjatë ditës për shkak të kushteve ekstreme të motit.
“Nxehtësia është e pabesueshme. Duhet të qëndrojmë të hidratuar, të pimë lëngje dhe të shpresojmë të mbijetojmë në këtë mot.”, - tha një turiste nga Kanadaja.
"Shume nxehtë. Qëndruam dhjetë minuta në diell dhe e ndjej vapën.”, - tha një turist nga Anglia.
“Çdo ditë dëgjojmë nga Qeveria se kemi vapë. Ne u japim ndihmën e parë të gjithë personave që kanë nevojë dhe informacion se si të përballen me nxehtësinë e lartë.”, - theksoi vullnetarja e Kryqit të Kuq grek, Sofia Markelos.
Vala e të nxehtit në Rumani po shkakton ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të konsumit të tepërt nga kondicionerët.
“Ushqimet në frigorifer na u prishën dy herë në javët e fundit. Energjia elektrike ishte e paktë, sikur të ishim në kohën e komunizmit.”, - tha një banor i Rumanisë.
“Pa energji elektrike nuk funksionon asgjë, përfshirë edhe pompën e ujërave të zeza.”, - u shpreh banorja e Rumanisë.
Të premten dhe gjatë fundjavës pritet ulje e lehtë e temperaturave. Sipas parashikimeve, temperaturat gjatë korrikut do të mbeten shumë mbi mesataren në të gjithë Evropën Jugore dhe Lindore.
Temperaturat më të larta parashikohen sërish për Ballkanin. Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike kanë sjellë ndryshime jashtëzakonisht të rënda të motit, stuhi më të paparashikueshme dhe valë të të nxehtit.
BELINDA KOKA ADEMI
