Botë
Ligji i luftës me Greqinë, demokratët dhe socialistët lanë mënjanë ndasitë
18.07.2024 18:18
Si rrallëherë në këtë sesion parlamentar demokratë dhe socialistë...

Si rrallëherë në këtë sesion parlamentar demokratë dhe socialistë, lanë mënjanë ndasitë dhe bashkuan votat për të miratuar me 96 vota një deklaratë për heqjen e ligjit të luftës së Greqisë me Shqipërinë.
Deklarata e iniciuar nga PDIU, kërkon rritje të përpjekjeve mes dy qeverive për ta hequr ligjin e luftës, që sipas Shpëtim Idrizit është një fyerje për dinjitetin, integritetin dhe sovranitetin tonë kombëtar.
“Ligji në fjalë është absurd. Greqia e mban me ligj luftën, gjendje lufte dhe sekuestro për pronat dhe nga ana tjetër kemi traktat miqësie. Është një fyerje për dinjitetin, integritetin dhe sovranitetin tonë kombëtar. Kemi autoritetin për të ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë institucional dhe ndërkombëtar. Ngjan me ato minat e fshehura, të ndryshkura të luftës së dytë botërore që nga pakujdesia mund të shpërthejnë në çdo rast. Duhet çaktivizuar ky ligj, siç çaktivizojmë minat e luftës së dytë botërore.”, - theksoi Shpëtim Idrizi.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Bledi Çuçi, tha se ligji i luftës nuk përfaqëson raportet që ka sot Shqipëria dhe Greqia, që me gjithë uljet dhe ngritjet kanë për detyrë të tregojnë shembullin e fqinjësisë së mirë.
“Për realitetin e ri ku janë dy vendet, nuk na duhet të presim edhe 84 vite të tjera për të korrigjuar këtë budallallëk historik. Besoj se Shqipëria dhe Greqia mund të jenë shembull i shkëlqyer se si fqinjësia e mirë prodhon paqe, siguri, mirëqenie. Kjo iniciativë mbetet një përpjekje domethënëse krejt e përligjur.”, - u shpreh kryetari i grupit të PS-së, Bledi Çuçi.
Opozita dha votën pro dhe shprehu mbështetje për këtë deklaratë, por mes tyre kishte edhe skeptikë, se asgjë nuk do të ndryshojë. Greqia e deklaroi Shqipërinë, përkrah Italisë, një vend armik në 1940 me një dekret mbretëror, duke shpallur ligjin e luftës, që pas më shumë se 8 dekadash ende vijon të shkaktojë përplasje edhe për toka te çamëve.
LULJETA NDOKA
