Maqedoni

Zjarret po shuhen vazhdimisht, Angellov: Shiu na ndihmoi në lokalizimin e disa vatrave

19.07.2024 15:11

As shiu që ra mbrëmë nuk ndihmoi për t’i shuar të gjitha vatrat e përhapura në malin Serta...

As shiu që ra mbrëmë nuk ndihmoi për t’i shuar të gjitha vatrat e përhapura në malin Serta. Ai ndihmoi vetëm për t’i shuar dhe lokalizuar përkohësisht flakët e mëdha në afërsi të fshatit Kallanjevë, mirëpo ende një pjesë e madhe e vatrave në këtë mal, nga ana e Shtipit dhe Negotinës janë aktive, por me intensitet më të ulët, të cilët me rritjen e temperaturave dhe erës çdo moment mund të përhapen edhe më shumë.
 
Gjatë mbrëmjes së kaluar dhe mëngjesin e sotëm, aeroplanët dhe helikopterët nga vendi dhe rajoni, si dhe ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë dhe vullnetarëve pa ndërprerje po shuajnë vatrat aktive. Gjendje më kritike mbetet në pjesën e malit Sera, e cila shtrihet përgjatë zonës së pishave në Pelister, si dhe në Selcë dhe Dragoevë. 
 
“Dy helikopterë vazhdimisht po mbikëqyrin vatrat mbi fshatrat Dragoevë dhe Selcë, ku janë vërejtur dy pika zjarresh mbi të cilat po veprohet. Njëkohësisht kemi edhe 50 pjesëtarë të armatës, 20 zjarrfikës dhe në dispozicion janë edhe 8 makineri të rënda, të cilat po bëjnë barrikada kundër zjarreve. Në këtë vend po ashtu kemi dërguar helikopterë nga Mali i Zi dhe Serbia. Përveç këtyre zjarreve në Serta, ndaj të cilave kemi kontroll absolute falë reshjeve të shiut një pjesë e madhe e vatrave janë shuar, megjithatë ekziston rreziku që me rritjen e temperaturave në disa vende përsëri të rihapen vatra të reja, andaj fokusi ynë do të mbetet këtu edhe gjatë ditës së sotme.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov. 
 
“Ekipi i zjarrfikësve me gjithsej 24 automjete po veprojnë në shuarjen e zjarreve në zonën përreth fshatit Selcë. Ata së bashku me 40 pjesëtarë të armatës dhe 5 të punësuar të NP “Pyjet e Maqedonisë” me pajisje adekuate janë shpërndarë në katër pika të ndryshme ku ka vatra aktive dhe bashkërisht po veprojnë përmes vijës së këmbësorisë. Njëkohësisht edhe dy helikopterë po veprojnë mbi to, me qëllim që tërësisht të vihen nën kontroll vatrat aktive.”, - theksoi kryetari i komunës së Shtipit, Ivan Jordanov. 
 
Zjarre aktive ka edhe në disa pika në afërsi të Rosomanit, ku të njëjtat po shuhen nga vija ajrore, respektivisht nga një aeroplan rumun dhe dy slloven. Po punohet në shuarjen e zjarreve edhe në Klloshevicë, Mërzen, Podlec, Veles dhe Çashkë. 
 
“Po ndodhemi në vendin e ashtuquajtur Bashi Most ku është paraqitur se është përhapur zjarri. Kemi dalë për të intervenuar me dy zjarrfikës dhe njëkohësisht kemi kërkuar ndihmë nga MPB-ja. Nëse nuk do të kishim intervenuar në kohë, zjarri do të përhapej dhe do të kishim dëme të mëdha ku do të digjeshin shtyllat për përçimin e energjisë elektrike dhe do të mbeteshin shumë vendbanime pa energji elektrike. Në ndërkohë në Veles kemi katër zjarre aktive ku përpiqemi t’i vëmë nën kontroll.”, - theksoi udhëheqësi i zjarrfikësve nga Velesi, Dimçe Jovanov.
 
Në ndërkohë dy aeroplanët e quajtura si “aer traktorët“ dhe një helikopter i Turqisë, të cilët erdhën para disa ditësh për të luftuar stuhitë e mëdha të zjarreve u kthyen në Turqi, për shkak të zjarreve masive, të cilët u përhapen në Turqi.
 
REXHEP QAMILI