Maqedoni
Komisioni për zgjedhje dhe emërime, akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës
19.07.2024 17:06
Me akuza, kundër akuza dhe linçime personale kaloi seanca në Komisionin...

Me akuza, kundër akuza dhe linçime personale kaloi seanca në Komisionin për zgjedhje dhe emërime. Deputetët e “Frontit Evropian” kërkuan që si pikë e parë të vendoset zgjedhja e anëtarëve të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, por për një gjë të tillë nuk votuan deputetët e shumicës. Këtë veprim, “Fronti Evropian” e vlerësoi si tentim tjetër të pushtetit për majorizim.
“Nëse është tendenca e denigrimit total të organizimit politik, sidomos te shqiptarët, por edhe te etnitetet tjera, kjo është shumë evidente dhe këtu nuk shkojnë punët për së mbari. Përveç se ka qeveri pa legjitimitet etnik, me majorizim, kjo nënkupton se është i paarsyeshëm më organizimi politik i shqiptarëve në parti politike mbi baza nacionale. Nëse kjo është tendenca, e keni shumë gabim dhe koha këtë do ta dëshmojë.”, - deklaroi Blerim Bexheti nga “Fronti Evropian”.
VLEN-i këtë pretendim e vlerëson si të paarsyeshëm, pasi shkaku që ky komitet ende nuk është formuar është për arsye se partitë politike ende nuk kanë dorëzuar propozimet e tyre për anëtarë në këtë komision.
“Në mospasje të propozimeve për anëtarë të komitetit, si do të nisim ne me debat? Dhe kemi mundur për 15-20 minuta të kalojmë pesë pikat e para dhe shkojmë te pika e gjashtë. Kjo ishte, nuk ka nevojë të habiteni me qëndrimin e VLEN-it, por është qëndrim parimor, pasi s’ka propozim për anëtarë të komitetit ende.”, - theksoi Halil Snopçe nga VLEN-i.
Gjatë debatit, deputetja Ilire Dauti tha se ky Komision është i rëndësishëm edhe për shkak të mbrojtjes nga propozim-ligji për “branitellat”, kurse Snopçe nga VLEN-i tha se rendin e ditës në të cilin ka qenë ligji për “branitellat” e ka votuar vetë deputetja, Dauti. Kjo temë pastaj shkaktoi një debat maratonik mes tyre.
“Të dalësh të më akuzosh se unë kam votuar rendin e ditës në seancën ku për pikë të rendit të ditës ka qenë edhe ligji për “branitellat”, kjo është e pafalshme dhe ti duhet urgjentisht të dalësh në foltore dhe të kërkosh falje, sepse unë nga shërbimet e Kuvendit sapo kërkova listingun dhe këtu është e vërtetuar ku shkruan se Ilire Dauti ka votuar kundër.”, - u shpreh Ilire Dauti nga “Fronti Evropian”.
“Ligji për “branitellat”, e dini në cilën seancë ka qenë, zonja Ilire Dauti? Ka qenë në seancën e njëjtë ku janë shkarkuar ministrat Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti, dhe unë kërkova nga ju që të mos e votoni rendin e ditës, sepse në fakt nuk qenka puna e shkarkimit të ministrave, por qëllimi qenka vendosja e asaj pike dhe ju votuat për atë rend dite. Gabim e keni stenogramin, zonja Dauti.”, - theksoi Halil Snopçe nga VLEN-i.
Përndryshe pika lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve u shty për një tjetër seancë, deri sa partitë politike të koordinohen dhe të propozojnë emrat për këtë komision.
ERSAN PAJAZITI
