Maqedoni
VLEN: Osmani nuk ka ditur të udhëheq me pozitën
20.07.2024 13:49
Koalicioni VLEN përmes një komunikate për media ka akuzuar ish-ministrit të Punëve të Jashtme...

Koalicioni VLEN përmes një komunikate për media ka akuzuar ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani se ka abuzuar me pozitën. Sipas tyre Osmani nuk ka ditur të udhëheq me pozitën që e ka pasur, ndaj mandati i tij do të mbahet mend për disa skandale.
“Opinioni me të drejtë shtron dilemën ku është përgjegjësia kur Bujari në krye të Ministrisë Jashtme në kundërshtim me logjikën e tregut për nevojat e Samitit të OSBE-së lidhi marrëveshje prej 960.000 euro me kompaninë “ABC rent a car”. Opinioni me të drejtë pyet a ka qenë në dijeni Bujari për abuzimet e ambasadorit të dërguar nga ai në OKB, Ljubomir Fërçkovski. Opinoni me të drejtë shtron pyetjen çka ka ndërmarrë Bujari kur ambasadori Vesel Memedi shkaktoi rrëmujë me pasaportat.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
BDI: Humbësit që tradhtuan votën shqiptare
Kanë reaguar nga BDI. Sipas integristëve, partitë e koalicionit VLEN kanë humbur zgjedhjet dhe tani, siç thonë, veprojnë si vasalë dhe shërbëtorë të interesave të të tjerëve për ta poshtërsuar kombin shqiptar.
“Izet Mexhiti, njihet për korrupsion masiv dhe marrjen e apartamenteve në çdo ndërtesë ilegale në Çair, ndërtimet dhe uzurpimet joligjore si dhe për emërimin e familjarëve të tij në poste drejtuese të institucioneve shtetërore. Arben Taravari, skemat e korrupsionit gjatë kohës së tij si kryetar i Gostivarit janë të njohura për të gjithë, por edhe si ministër, përfshirë listën pozitive të ilaçeve, aparaturat dhe pajisjet, parkingjet e planifikuara, si dhe çdo tender tjetër në shëndetësi, përfshirë edhe shtëpitë e “dhuruara” në Shkup e Gostivar. Bilall Kasami, çdo gjë që ai prek, e ngjit me korrupsion.”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.
SAMET ABDULLAU
