Maqedoni
Problemet e furnizimit me kompresorë, MSH: Procedurat t’i kryejmë ne
21.07.2024 14:09
Pas anulimit të procedurës për furnizim, montim dhe lëshim në punë të sistemit për ajër të kompresuar...

Pas anulimit të procedurës për furnizim, montim dhe lëshim në punë të sistemit për ajër të kompresuar për sallat e operacioneve në klinikat kirurgjikale për shkak të mungesës së ofertës, tash për këtë problematikë kërkon të kujdeset vetë Minisitria e Shëndetësisë, thonë për Televizionin tonë nga kabineti i ministrit Taravari. Njëkohësisht ky dikaster të kujdeset edhe për mjetet e nevojshme për procedurën e furnizimit.
“Në bazë të situatës aktuale, Ministria e Shëndetësisë do ta njoftojë Qeverinë dhe do t’i propozojë që publikimin e procedurës për furnizimin, instalimin dhe vënien në punë të sistemit të ajrit të kompresuar, ta merr Ministria. Mjetet e nevojshme financiare të realizimit, furnizimit, instalimit dhe lëshimit në funksion të sistemit të ajrit të kompresuar, do të sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë, me çka nuk do të jetë e nevojshme që Instituti i Shëndetit Publik ta paguajë lëndën e furnizimin.”.
A. i Popullit krah qytetarëve, kërkon përgjigje
Duke pas parasysh informatat e shpërndara nëpër media, si dhe ankesat telefonike të qytetarëve, të cilat alarmonin për shkeljen e të drejtës për mbrojtje shëndetësore, Avokati i Popullit me vetiniciativë ka hapur lëndë duke u drejtuar me kërkesë deri te ministri me ç’rast ka kërkuar hetim të plotë të rastit dhe njoftim të detajuar për masat e ndërmarra në drejtim të tejkalimit të problemit të shkaktuar. Gjithashtu kërkesë në lidhje me rastin është drejtuar edhe te Inspektorati sanitar dhe shëndetësor.
“Për momentin rasti vazhdon të përcillet nga Avokati i Popullit. Përgjigje nga ana e Ministrisë ende nuk është dërguar, për çka është dërguar urgjencë, me çka rasti vazhdon të jetë i hapur dhe të ndiqet edhe më tej. Duke sugjeruar në nevojën për reagim urgjent për eliminimin e shkaqeve që sollën deri në këtë gjendje, Avokati i Popullit sugjeron dhe pret që t’i kushtohet vëmendje serioze këtij problemi duke u ndërmarrë masa adekuate nga ana e Ministrisë përgjegjëse, për sigurimin e menjëhershëm të kushteve për funksionimin e papenguar të institucioneve shëndetësore, prej të cilave varet shëndeti dhe jeta e një numri më të madh të qytetarëve.”, kumtojnë për TVM2 nga zyra e Avokatit të Popullit.
Përkujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
