Maqedoni

Udhëtimi në Uashington, LSDM: 20.000 euro u ka kushtuar qytetarëve

21.07.2024 14:44

Socialdemokratët pretendojnë se kanë zbuluar shumën e saktë të biletave të udhëtimit...

Socialdemokratët pretendojnë se kanë zbuluar shumën e saktë të biletave të udhëtimit, të delegacionit qeveritar që mori pjesë në Samitin e Uashingtonit. Sipas LSDM-së, të gjithë kanë udhëtuar në biznes-klasë kurse 4 deri 5.000 euro ka kushtuar një biletë e udhëtimit.
 
“Sipas informatave tona, për Mickoskin është porositur biletë biznesi me çmim kthyes 237.0072 denarë ose 4.000 euro. Por, kjo nuk është bileta më e shtrenjtë e udhëtmit. Bileta e Ministrit të Mbrojtjes, Vlado Misajlovski është paguar madje 280.000 denarë, kurse dy biletat tjera të Toshkovskit dhe Mucunksit janë paguar nga 4.500 euro secila. Thuajse 20.000 euro u ka kushtuar qytetarëve udhëtimi komod i Mickoskit dhe Ministrave në Uashington.”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE: Mbi 900 mijë euro tenderë për agjencinë ‘Rejting’
 
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE thonë se socialdemokratët manipulojnë qytetarët. Sipas tyre agjencisë “Rejting”, në pronësi të Nikolla Spasovit, në periudhën kur ata ishin në pushtet, kjo agjenci merrte tenderë me vlerë të përgjithshme mbi 900 mijë euro.
 
“Në vitin 2020, vit i Qytetit të Shkupit, “Rejting”-u i Spasovit ka marrë mbi 16.000 euro, por edhe 4.500 euro nga Komuna e Karposhit. Në vitin 2021 ka marrë 15 mijë euro nga Komuna e Ohrit, të gjithë tenderët në periudhën kur kryetarët janë nga radhët e LSD-së. Në të njëjtin vit, “Rejting”-u i Spasovit ka marrë 60.000 euro nga Ministria e Shëndetësisë, në krye me shefin e saj aktual, Venko Filipçe. Po ashtu, në të njëjtin vit, në muajin gusht, Spasov ka pranuar tenderin në vlerë prej 300 mijë eurosh nga Qeveria.”, tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
 
Në vitin 2022 ka marrë edhe mbi 420 mijë euro nga Qeveria, për promovimin e verës maqedonase në Beograd. Në dhjetor të po atij viti, Spasov ka marrë një tender prej 50 mijë eurosh nga Ministria e Financave dhe një tjetër prej 100 mijë eurosh nga Ministria e Punëve të Jashtme, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
SAMET ABDULLAU