Maqedoni
VLEN drejt zhvillimit në një lëvizje politike
21.07.2024 15:33
Koalicioni VLEN rikonfirmon unitetin e vazhdueshëm për t’u zhvilluar në një lëvizje politike....

Koalicioni VLEN rikonfirmon unitetin e vazhdueshëm për t’u zhvilluar në një lëvizje politike që do të adresojë problemet e përditshme të shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Paralajmërojnë që pas formimit të Trupit Koordinues Politik të VLEN-it do të vijojë edhe formimi i Komisionit të koalicionit për çështjet e zgjedhjeve dhe emërimeve. Nga VLEN nuk kursejnë akuza ndaj BDI-së për shpifje për të kontestuar përfitimitem e Marrëveshjes së Ohrit, në mbrojtje të krimit.
“Ne jemi të përkushtuar që VLEN të rritet dhe të zhvillohet në një lëvizje politike, që do t’u përgjigjet nevojave të shqiptarëve me hapa të mirëpërcaktuara strategjike. BDI dhe satelitët e saj në opozitë për çdo ditë shpifin, trillojnë dhe përgatisin një mjedis për të kontestuar përfitimet e Marrëveshjes së Ohrit për hir të mbrojtjes së krimit, është thelbësore që ne të bashkohemi edhe më fuqishëm dhe të punojmë së bashku për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, veçanërisht të shqiptarëve.”, thuhet në komunikatën e VLEN.
Interpertimi autentik i Marrëveshjes së Ohrit, Viliams: Drejt platformës për legjitimitetin
Interpretim autentik i Marrëveshjes së Ohrit, i paralajmëruar nga Fronti Europian sot u rikonfirmua edhe nga Poll Viliams, i njohur si autor i Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001. Vilijams për TV Klan është shprehur se bashkë me kompaninë e tij ligjore dhe ekipin e juristëve ndërkombëtare, po punon mbi çështjen e mos respektimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe legjitimitetit ndëretnik të institucioneve të vendit. Sipas Villiams po punohet në një platformë mbi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në procesin e formimit të Qeverisë.
VMRO-DPMNE kundër paralajmërimeve të BDI-së
Ka reaguar VMRO – DPMNE. Zëdhënsja Marija Miteva thotë se BDI kur nuk është në qeveri, krijon çështje etnike.
“Për VMRO-DPMNE-në nuk është i pranueshëm parimi i shantazheve që zbatohet nga BDI e kjo është “nëse nuk jemi në Qeveri që të vjedhim, atëherë do të krijojmë çështje etnike dhe ndarje”. Rikujtojmë se deri para një muaji e gjysmë, BDI ishte në pushtet bashkë me LSD-në dhe atëkohë për Ali Ahmetin nuk ishte e rëndësishme ndarja rajonale e Maqedonisë, sa ç’ishte e rëndësishme që “Arbëria” të merrte tenderët e Artanit, nipi i Alisë ta blinte “Soravian”, ose kompanitë nënkontraktuese të “Behtel dhe Enka” të jenë të njëjtat nga Zajazi ose të afërta me BDI-në.”, u shpreh zëdhënësja e VMRO – DPMNE-së Marija Miteva.
Sipas Mitevës VMRO-DPMNE me përkushtim punon për jetë më të mirë dhe për ruajtjen e harmonisë dhe marrëdhënieve cilësore pa ndarje dhe konflikte.
MERALE ISMAILI
