Maqedoni

Zjarret ende aktive në vend, Angellov: Gjendja më e rënduar në Serta

22.07.2024 13:37

Autoritetet e vendit vazhdojnë të “luftojnë” me stuhitë e mëdha me zjarret në vend....

Autoritetet e vendit vazhdojnë të “luftojnë” me stuhitë e mëdha me zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 29 vatra zjarri. Shtatë prej tyre rezultojnë të jenë aktive edhe gjatë ditës së hënë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesërisht ose tërësisht të shuara. Gjendja më e rënduar me zjarret paraqitet në pjesën e malit Serta të komunës së Shtipit, një në Makedonski Brod dhe dy zjarre në komunën e Çashkës dhe Dollnenit. Mëngjesin e sotëm zjarr aktiv ka  pasur edhe në poligonin ushtarak Krivollak në drejtim të zonës së quajtur Penush, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha të natyrës pyjore, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza duke shtuar se deri në këto momente ky zjarr nuk është përhapur nëpër vendbanimet dhe obejekteve ushtarake përreth. 
 
“Në këtë moment vatra e zjarrit, e cila na shkakton kokëdhimbje më të madhe është zjarri i cili po zvarritet me ditë me radhë, ai i malit Serta, duke pasur vatra në vende të ndryshme. Njëkohësisht sot është aktiv edhe zjarri në poligonin ushtarak Krivollak në drejtim të zonës Penush edhe përgjatë lumit të Bregallnicës. Herët në mëngjes një grup vullnetarësh arritën të parandalojnë një pjesë të zjarrit, që u shpërnda, mirëpo ekziston një vatër zjarri e cila kërcënon të zgjerohet aty ku kemi dërguar njerëz për të shuar zjarrin.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov.
 
Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë  dhe aeroplanët nga ajri dhe toka po punojnë për t’i lokalizuar flakët e mëdha në malin Serta në territorin e komunës së Shtipit. Jozyrtarisht autoritetet lokale raportojnë se kanë arritur t’i vënë nën kontroll disa vatra aktive në këtë zonë malore të Sertës. Pavarësisht kësaj, era dhe temperaturat e larta paraqesin rrezik të madh për t’u rindezur ato përsëri.
 
Maqedonia e Veriut tashmë dy javë me radhë po lufton me stuhitë e mëdha me zjarret, për të cilën autoritetet e vendit dyshojnë se janë shkaktuar si pasojë e vënies së zjarrit nga faktori njeri. Gjatë kësaj periudhe  Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Turqia dhe Rumania dërguan aeroplanë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në vend.
 
REXHEP QAMILI