Maqedoni
Shëndetësi, Taravari: Punësime - po, rritje të pagave - jo
22.07.2024 14:25
Deri në fund të vitit nuk ka gjasa që të kemi rritje të pagave për punonjësit e shëndetësisë...

Deri në fund të vitit nuk ka gjasa që të kemi rritje të pagave për punonjësit e shëndetësisë, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes së re kolektive, siç kërkojnë sindikatat. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” në Shkup, duke u përgjigjur në pyetjen se nëse me rishikimin e buxhetit do të sigurohen para për paga më të larta për punëtorët shëndetësorë. Taravari bëri me dije se veç më me sindikatat është duke u negociuar.
“Kemi një deficit të madh buxhetor. Shpresoj që të mos ketë shkurtime të mëdha në buxhetin e shëndetësisë, sepse duhet të mbijetojmë dhe ta kalojmë nëntorin e këtij viti. Kam pasur një takim me sindikatat, do ta kem sërish dhe do t'u kërkoj mirëkuptim që ndoshta të arrijmë marrëveshje për vitin e ardhshëm. Këtë vit është praktikisht e pamundur të miratohet një marrëveshje e re kolektive.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Megjithatë, ministri i Shëndetësisë theksoi se në periudhën e ardhshme do të ketë punësime në sektorin e shëndetësisë.
“Sigurisht që do të ketë punësime. Por, rritje të pagave dhe nënshkrim të një marrëveshjeje të re kolektive me kërkesë të sindikatave është sinqerisht e vështirë të zbatohet deri në fund të këtij viti buxhetor.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Sindikata e Pavarur e Punëtorëve Shëndetësorë dhe Shoqata e Mjekëve Privatë para një muaji potencuan se kanë disa kërkesa, si rritja e pagave në shëndetësi, zgjidhja e statusit të mjekëve dhe infermierëve, të cilët punojnë dhe nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor, si dhe anulimi i pensionimit të mjekëve amë.
ERSAN PAJAZITI
