Maqedoni
Kryediplomati grek përkujton RMV-në: Nëse vazhdoni kështu, shtojmë presionin
22.07.2024 15:07
Nëse Maqedonia e Veriut vazhdon me këtë politikë...

Nëse Maqedonia e Veriut vazhdon me këtë politikë, e cila është drejtpërdrejt në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë pala greke i ka ato mjete që të mund të bëjë presion edhe më të madh, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Gerapetritis, në intervistën për televizionin grek ERT. Shefi i diplomacisë helene përsëriti se Marrëveshja e Prespës është ratifikuar nga të dy parlamentet, me çka sjell detyrime ligjore, të cilat nuk mund të ndryshohen nga asnjë nga të dyja vendet.
“Kam bërë përpjekje të mëdha që në tërësi t’i informoj të gjithë partnerët tanë dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe mund t’ju them se në këtë moment ekziston shqetësim i madh nga të gjithë për qëndrimin për Maqedoninë e Veriut. Të gjithë e kuptojmë se nëse vazhdon kjo politikë që është drejtpërdrejt në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare e që paraqesin bazë për arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare, atëherë pala greke i ka mjetet që të mund të bëjë edhe më shumë presion, mjete të cilat janë edhe dypalëshe edhe shumëpalëshe në nivel të organizatave ndërkombëtare.”, - deklaroi ministri i Jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis.
Diplomati grek rikujton se Marrëveshja e Prespës tregon qartë se çështja e emrit, gjegjësisht emri Maqedonia e Veriut nuk mund të ndryshojë as me marrëveshje nga palët, sepse sipas tij është dispozitë e cila mbetet përgjithmonë, ndërsa pohon se për momentin ka shkelje të qartë nga ana e kreut politik dhe shtetëror të Maqedonisë së Veriut. Presidenti apo kryeministri i një vendi, kur është në një dalje publike, nuk mund t’i referohet autonomisë private, shton më tej ministri grek.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Mickoski, vazhdimisht ka potencuar se Marrëveshja e Prespës është realitet, por kërkon implementim të dyanshëm, duke rikujtuar fqinjin verior për mosratifikimin e tre memorandumeve nga ana e Kuvendit grek.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
