Botë

Kroaci, u vranë gjashtë persona në Shtëpinë e pleqve

22.07.2024 16:09

Gjashtë të vrarë dhe shtatë të plagosur është bilanci i sulmit në Shtëpinë e pleqve dhe të sëmurëve në qytetin Daruvar

Gjashtë të vrarë dhe shtatë të plagosur është bilanci i sulmit në Shtëpinë e pleqve dhe të sëmurëve në qytetin Daruvar të Kroacisë. Sulmin dyshohet se e kreu një burrë 51-vjeçar, i cili fillimisht e ka qëlluar nënën e tij, e më pas edhe të tjerët. Të plagosurit janë dërguar për trajtim, ndërsa pas ngjarjes tragjike i dyshuari është arrestuar nga policia. Jozyrtarisht, vrasësi është një polic ushtarak në pension. Në vendin e ngjarjes, sipas policisë, hetimet po kryhen nga zëvendësprokurori i qarkut në Bjelovar.
 
“Po i bëja gati medikamentet kur dëgjova të shtëna, filluam të ikim. Unë u fsheha ndër krevat, shefi iku nga dritarja. Dëgjoheshin zëra që të ikim nga dritarja.”, - u shpreh infermierja, dëshmitare okulare, Ivana Radniq.
 
“Në rrjedhë e sipër është hetimi. Policia po e kryen punën e saj. Të plagosurit e tjerë janë dërguar në spital dhe shpresoj se do të jenë mirë. Besoni, do të bëjmë gjithçka që të ndihmojmë. Do të koordinohemi dhe banorët e tjerë të shtëpisë t’i dërgojmë në ndonjë shtëpi tjetër për të moshuar.”, - theksoi prefekti i Qarkut Bjelovarsko, Bilogora Marko Marushiq.
 
Në shtëpinë e pleqve ku ndodhi vrasja kanë qenë të akomoduar rreth njëzet banorë, gjashtëmbëdhjetë prej të cilëve ishin të palëvizshëm. Kryeministri Plenkoviq u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa organet e hetimit do të hetojnë për arsyet dhe motivin e kryerësit të vrasjes së gjashtëfishtë, i cili edhe paraprakisht ka qenë i njohur për policinë.
 
FLORIJE KAMBERI