Botë
Këshilli i BE-së ua heq vizat serbëve të Kosovës
22.07.2024 17:07
Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës...

Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
“Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit e Serbisë.”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri. Me të përfundojnë të gjitha proceset legjislative.
Pasi të hyjë në fuqi - gjë që pritet të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së - vendimi do të fillojë të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
