Maqedoni
Situata me zjarret në RMV, Angellov: 10 zjarre aktive
23.07.2024 13:37
Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në tërë territorin e vendit janë regjistruar 30 vatra...

Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në tërë territorin e vendit janë regjistruar 30 vatra aktive në ambiente të hapura. Prej tyre 20 janë shuar tërësisht, ndërsa 10 rezultojnë të jenë ende aktive. Autoritetet e Qendrës për Menaxhim me Kriza informojnë se gjendja më e rënduar paraqitet tek një pjesë e malit Serta ku tashmë dy javë flakët e mëdha shkrumbojnë pasuritë pyjore. Gjatë mbrëmjes së të hënës dhe mëngjesin e së martës ka shpërthyer edhe një zjarr i ri në komunën e Nagoriçanit të Vjetër në afërsi të fshatit Çelopek, por falë intervenimit të shpejtë të autoriteteve dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq është lokalizuar ky zjarr.
“Mbrëmë vonë në territorin e Nagorçanit të vjetër, vullnetarë të Kryqit të Kuq vendosën një pishinë me ujë prej së cilës helikopteri mbushte ujë dhe në këtë mënyrë u shkurtua distanca dhe kohëzgjatja e mbushjes dhe hedhjes së ujit për 6 minuta dhe në këtë mënyrë u shua zjarri në këtë zonë falë vullnetareve.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Stojanço Angelov.
“Para një jave mu paraqitën kolegët e Kryqit të Kuq ku punoj si vullnetar për 20 vite. Ata kërkuan ndihmë dhe pa mëdyshje morëm pajisjet dhe fillimisht u vendosëm në Shtip, mandej në Bogomil dhe në mëngjes erdhëm këtu në Nagoriçanin e vjetër.”, - theksoi vullnetari i Kryqit të Kuq, Dejan Blazhevski.
Në malin Serta aktualisht janë aktive dy zjarre më të mëdha. I pari është në afërsi të poligonit ushtarak “Krivollak” në drejtim të lumit Bregallnicë dhe i dyti në afërsi të fshatit Puhçë dhe Sellcë, ku autoritetet e vendit informojnë se po mundohen t’i vënë nën kontroll të tërësishëm ose të pjesërishëm dhe thonë se deri në këto momente nuk ka rrezik këto zjarre të përhapen brenda këtyre fshatrave. Zjarre ka edhe në komunën e Pllasnicës, në Çashkë, Dollnen. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë, ndërmarrjeve komunale dhe vullnetarëve me helikopterë dhe aeroplanë po intervenojnë vazhdimisht nga ajri dhe toka për t’i shuar të gjitha këto zjarre.
REXHEP QAMILI
