Maqedoni

Arsimimi dual integrohet në universitete, Janevska: Do të shtohet puna praktike

23.07.2024 14:25

Modeli i arsimimit dual do të integrohet edhe në kuadër të Universiteteve shtetërore....

Modeli i arsimimit dual do të integrohet edhe në kuadër të Universiteteve shtetërore. Nxënësit të cilët kanë rezultate të shkëlqyeshme në gara do të përkrahen nga Odat Ekonomike dhe nga biznesi. Kjo ishte marrëveshja që  sot u lidh mes Ministres së Arsimit Vesna Janevska dhe kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski. Kjo nuk do të ndikojë mbi autonominë e universiteteve dhe në punën  praktike që do të realizohet në fakultete do të marrin pjesë  edhe punëtorë të administratës publike, ndërsa puna praktike do të integrohet në kuadër të universiteteve.  
 
“Do të zhvillojmë mundësi shtesë për rritjen e praktikës në universitete në marrëveshje me universitetet, duke respektuar autonominë e tyre sa i përket programeve studimore. Por, përvoja e disa universiteteve që kanë filluar të zbatojnë këtë praktikë tregojnë se e njëjta është tejet e dobishme.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. 
 
Azeski: Për kreditë debatojmë me Qeverinë
 
Ndërkohë kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski,  tha se të enjten do të realizojë takim me kryeministrin, Hristijan Mickoski, që të diskutohet për 250 milionë eurot e kredisë hungareze, që  duhet t’i dedikohen biznesit. Kërkesat  e Odës Ekonomike, sipas tij  janë të mos miratohen ligje pa u analizuar, do të kërkohet edhe revidimi i së dielës  si ditë jo pune për çka do të  ftohen edhe sindikatat në dialog. 
 
“Ne nuk na intereson asgjë tjetër përpos të kemi kapital dhe mundësi për plotësimin e aktiviteteve investuese. Qëndrimi ynë është që kjo çështje të mos selektohet, por të vendoset në kuadër të pakos që ka për qëllim përmirësimin e mjedisit për punë.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski. 
 
Të dhënat e deritanishme bëjnë të ditur se interesim më të madh për arsimim dual kishte te nxënësit e shkollave të mesme, ku sipas rezultateve të regjistrimit pjesa më e madhe prej tyre zgjodhën  arsimimin profesional. 
 
FLUTURA LATIFI