Botë

Lindja e Mesme, Hamasi dhe Fatah nënshkruan marrëveshje për unitetin kombëtar

23.07.2024 14:44

Katërmbëdhjetë grupe palestineze nënshkruan "Deklaratën e Pekinit" për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar...

Katërmbëdhjetë grupe palestineze nënshkruan "Deklaratën e Pekinit" për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar, me qëllim të bashkimit të institucioneve të Bregut Perëndimor dhe Gazës. Midis nënshkruesve janë fraksionet rivale palestineze Fatah dhe Hamasi, si dhe Xhihadi Islamik.
 
“Ne po nënshkruajmë një marrëveshje për unitetin kombëtar dhe po themi se rruga për të përfunduar këtë rrugëtim është uniteti kombëtar.”, - deklaroi zyrtari i lartë i Hamasit, Musa Abu Marzuk.  
 
Fatahu kontrollon drejtorinë palestineze në Bregun Perëndimor. Hamasi, nga ana tjetër, mori pushtetin në Gazë në vitin 2007. Hamasi dhe Fatahu fillimisht u zotuan t'i japin fund rivalitetit të tyre në vitin 2011, por përpjekjet për të formuar një qeveri uniteti kanë dështuar vazhdimisht.
 
“Konsensusi më i rëndësishëm i këtij dialogu në Pekin midis fraksioneve palestineze është të angazhohemi  për pajtim të madh dhe unitet të madh të të 14 fraksioneve. Në fund të fundit është e qartë se Organizata për Çlirimin e Palestinës është përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit palestinez.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Kinës, Uang Ji.
 
Përderisa në enklavën palestineze çdo ditë regjistrohen viktima të reja të luftës, parlamenti izraelit miratoi një projektligj që synon mbylljen e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar për refugjatët palestinezë - UNRVA. Tel Avivi e klasifikon atë si një organizatë terroriste. OKB-ja ka paralajmëruar për një përshkallëzim të konfliktit, veçanërisht pas sulmeve nga Hezbollahu i Libanit dhe Huthit në Jemen.
 
“Rreziku i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme është real dhe duhet shmangur. Një lëvizje e pamatur, një llogaritje e gabuar mund të shkaktojë një fatkeqësi që i kapërcen kufijtë.”, - u shpreh  shefi i Departamentit të Çështjeve Politike në OKB, Rozmari di Karlo.
 
Kryeministri izraelit Netanjahu u takua në Uashington me familjet e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, duke sinjalizuar se një marrëveshje armëpushimi mund të marrë formë. Netanjahu është planifikuar të flasë me Bajdenin  dhe t'i drejtohet Kongresit.
 
“Kjo është një vizitë e rëndësishme që do të na japë mundësinë t'u përcjellim përfaqësuesve amerikanë dhe popullit amerikan rëndësinë e mbështetjes së tyre, së bashku me ta, për të arritur lirimin e të gjithë pengjeve. Ne po i bëjmë presion shumë të fortë Hamasit, po shohim një ndryshim të caktuar dhe mendoj se ky ndryshim do të rritet, ky është një objektiv ushtarak.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.  
 
Izraeli dhe Hamasi kanë negociuar për javë të tëra një marrëveshje armëpushimi të mbështetur nga ShBA-ja, që do të ndalonte luftën nëntëmujore dhe do të lironte pengjet që Hamasi mori gjatë sulmit të 7 tetorit.


XHANAN HALIL